Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi ka arritur në Tajvan, pavarësisht kërcënimeve të Kinës se Uashingtoni do të përballet me “pasoja serioze”.
Ajo u prit në aeroportin e Tajpeit nga ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu.
“Vizita në Tajvan e delegacionit të Kongresit tonë nderon zotimin e palëkundur të Amerikës në mbështetjen e demokracisë së gjallë të Tajvanit”, tha Pelosi.
“Solidariteti i Amerikës me 23 milionë banorët e Tajvanit është më i rëndësishëm se kurrë më parë, teksa bota përballet me zgjedhjen midis autokracisë dhe demokracisë”, shtoi ajo.
Zyrtarja e lartë amerikane pritet që të mërkurën të takohet me presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen, si dhe të vizitojë Parlamentin e këtij shteti. Ajo pritet të përfundojë vizitën pasditen e 3 gushtit.
Vizita e saj në Tajvan vjen teksa media shtetërore kineze raportoi të martën se avionët luftarakë kinezë po fluturojnë mbi Ngushticën e Tajvanit.
“Avionët kinezë të llojit Su-35 po kalojnë mbi Ngushticën e Tajvanit”, raportoi media shtetërore TV CGTN, pa ofruar detaje të tjera.
Vizita e Pelosit në Tajpei të Tajvanit vjen mes paralajmërimeve të intensifikuara nga Kina dhe katër anije luftarake amerikane duke përfshirë një aeroplanmbajtëse, u pozicionuan në ujëra në lindje të ishullit.
Transportuesi i USS Ronald Reagan, që kishte kaluar transit në detin e Kinës Jugore, aktualisht është në detin e Filipineve, në lindje të Tajvanit dhe Filipineve dhe në jug të Japonisë, konfirmoi një zyrtar i marinës amerikane për Reutersin të martën.
