Pendarovski – Borrell: Realiteti i ri gjeopolitik imponon nevojën e integrimit të rajonit në BE

Presidenti Stevo Pendarovski ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe nënkryetar të Komisionit Evropian, Josep Borrell.

Marketing

Pendarovski vizitën e përfaqësuesit të lartë Borrell në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon e vlerësoi si konfirmim të përkushtimit dhe mbështetjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në dritën e realitetit të ri gjeopolitik në Evropë, njoftojnë nga Kabineti i Presidentit.

“Fillimi i negociatave për anëtarësim të RMV-së në BE është një provë e besueshmërisë së Bashkimit Evropian. Me dinamikën e re gjeopolitike, nuk po flasim për përshpejtim të procesit tonë, duke marr parasysh se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë vendosur që në mars të vitit 2020 t’i nisin negociatat për anëtarësim me Këshillin e BE-së”, tha Pendarovski.

Maqedonia e Veriut, siç theksoi kreu i shtetit, është dëshmuar se është një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian dhe bllokada e saj e mëtejshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit, së bashku me Shqipërinë, është e paqëndrueshme.

Gjatë takimit Pandarovski-Borell kanë diskutuar edhe për konfliktin Rusi-Ukrainë, dhe ndikimin e tij në sigurinë e kontinentit evropian në tërësi, bashkëbiseduesit theksuan nevojën për një ndërprerje të menjëhershme të konfliktit.

Nga ana tjetër Borell përshëndeti vendimin e vendit për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.