Nga sot deri të premten do të jetë java e fundit e fushatës së zgjedhjeve presidenciale për raundin e dytë që do të zhvillohet më 5 maj. Kandidatët për president Stevo Pendarovski i koalicionit qeverisës dhe Gordana Siljanovska – Davkova nga opozita maqedonase do të vazhdojnë me tubime dhe tribuna me qytetarët, për të shpalosur premtimet e fundit të tyre.
Në raundin e dytë gjatë javës së kaluar dy kandidatët kanë zhvilluar kryesisht takime me qytetarët dhe tubime të vogla nëpër disa vendbanime. Fushata do të zgjas deri të premten në ora 24.00, kur nis heshtja zgjedhore. Për të pasur sukses këto zgjedhje, duhet që të dalin në votime së paku 40% apo 723.253 nga 1.8 milionë votues. Nëse nuk arrihet cenzusi, zgjedhjet do të konsiderohen të pasuksesshme dhe duhet që kryetari i Kuvendit të shpallë zgjedhje të reja. Liderët e partive kryesore shpresojnë se do të arrihet cenzusi më 5 maj dhe do të zgjidhet presidenti.