“Derisa nuk zgjedhin kryetar të Këshillit Gjyqësor, gjyqtarët nuk mund të marrin paga”, kështu deklaroi sot presidenti i vendit Stevo Pendarovski derisa komentoi zhvillimet në Këshillin Gjyqësor, duke nënvizuar kjo paraqet një njollë të errët në dosjen e përgjithshme evropiane.
“Ajo që e di dhe që paraqet problem është që kryetari i Këshillit Gjyqësor, kush do që të jetë, është edhe kryetar i Këshillit Gjyqësor-Financiar, që do të thotë se nëse nuk ka kryetar Këshilli Gjyqësor, thënë thjesht, nuk ka kush t’i nënshkruajë vendimet për pagat e gjyqtarëve. Kjo situatë duhet të zgjidhet sa më parë, jo vetëm për pagat e gjykatësve, por pasi edhe hedh njollë të errët në dosjen e përgjithshme evropiane të Maqedonisë së Veriut. Ka pasur reagime, edhe tek unë, edhe tek institucionet tjera për gjendjen e sistemit gjyqësor-juridik në vend”, deklaroi Pendarovski.
Shkarkimi skandaloz i Vesna Damevës nga pozita e kryetares së Këshillit Gjyqësor dhe dy përpjekjet e pasuksesshme për zgjedhjen e pasuesit të saj, presidenti Pendarovski i cilësoi skena të pakëndshme, “të cilat nuk i kemi pasur me vite”.