Pendarovski: Institucionet nuk po shërbejnë siç duhet!

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, thotë se institucionet qeveritare po e lënë në baltë vendin në mënyrë drastike, saqë mund të minojnë perspektivat për hapjen e shumëpritur të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Marketing

“Ne kemi dekada – jo vite, por dekada keqfunksionimi të institucioneve, përfshirë institucionet politike”, i tha Pendarovski Zërit të Amerikës në një intervistë ekskluzive në Shkup. “Nuk flas këtu vetëm për sistemin gjyqësor”, tha ai, duke iu referuar një skandali zhvatjeje që ka tronditur qeverinë si dhe Zyrën e Prokurorisë Speciale, të krijuar në 2015 për të hetuar krimin e nivelit të lartë në vend.
“Këto institucione jetike nuk po u shërbejnë njerëzve ashtu siç duhet”, tha Pendarovski. “Ato nuk e luftojnë krimin dhe korrupsionin në nivelin që duhet ta bëjë një demokraci e pjekur”. Presidenti Pendarovski e përshkroi skandalin si një turp me përmasa ndërkombëtare, por edhe si një mundësi të veçantë që zyrtarët e qeverisë së Shkupit dhe ligjvënësit të shkojnë përtej grindjeve politike dhe t’i përmbahen zbatimit të ligjit.

“Ne nuk mund ta lejojmë veten të lëmë hapësirë për hamendje”, tha ai duke iu referuar pikëpyetjeve nëse vendi mund ta zgjidhë me shpejtësi çështjen. “Mënyra se si do të reagojmë për skandalin – jo si do të reagojnë individët, por ne si vend – do të përcaktojë vendimin e vendeve anëtare të BE-së këtë vjeshtë për ta pranuar Maqedoninë e Veriut të anëtarësohet në bllok”. Ai tha gjithashtu se është i skandalizuar që disa nga “aktorët kryesorë në këtë dramë”, siç janë hetuesit, ishin me pushime. “Kjo nuk është një çështje e zakonshme”, tha ai. “Është sfiduar thelbi i sundimit të ligjit në vend”.