Kryetari i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot pranoi ndihmës-sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për sfidat e reja të sigurisë, Antonio Missiroli.
Në takim, siç njoftojnë nga kabineti i kryetarit Pendarovski, u diskutua për bashkëpunimin e suksesshëm mes Maqedonisë së Veriut dhe NATO-s, për projektet e përbashkëta si dhe për reformat në mbrojtje dhe siguri, njofton Telegrafi Maqedoni.
Kryetari Pendarovski theksoi se me anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në NATO do të përmbushet një nga përcaktimet strategjike të vendit tonë.
Kryetari Pendarovski pret që deri në fund të këtij viti edhe formalisht do të përfundohet ratifikimi i protokollit për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO te vendet tjera të mbetura, me çka do të bëhemi vendi i 30-të i Aleancës më të suksesshme ushtarake.
“Anëtarësimi ynë në NATO do të thotë zgjerim të prosperitetit dhe stabilitetit në Evropë, por në të njëjtën kohë edhe kontribut i jonë ndaj sigurisë globale dhe rajonale”, tha kryetari Pendarovski në takim.
Kryetari Pendarovski shtoi se si komandant suprem i forcave të armatosura do t’i përkrah të gjitha reformat në mbrojtje dhe siguri që janë sipas standardeve të NATO-s.
Në këtë kontekst, kryetari Pendarovski e përshëndeti projektin për digjitalizimin e Sistemit për menaxhimin me kriza nëpërmjet zbatimit të NICS – Next Generation Incident Command System, si pjesë e NATO-s.
Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Missiroli, i uroi postin kryetarit Pendarovski, duke i dëshiruar sukses në punë.