Ardhmëria e Maqedonisë është në NATO dhe ky është opsioni më i mirë për vendin, vlerëson koordinatori nacional për NATO, Stevo Pendarovski, në debatin “Aspektet pozitive dhe negative nga anëtarësimi i Maqedonisë në NATO”.
Sipas Pendarovskit, anëtarësimi në Aleancë mbështetet nga të gjitha bashkësitë etnike në vend dhe kjo paraqet faktor të fuqishëm koheziv të shoqërisë. Pendarovski tha se tani mbetet të shikohet përmbajtja e letrës së Ministrisë së Jashtme greke drejtuar NATO-s.
“Pritet letra e vendit anëtar që deri më tani kishte problem me anëtarësimin tonë në Aleancë. Do të duhet të shohim formulimet brenda edhe përkundër premtimeve greke për rekomandim të pastër si për në NATO ashtu edhe për në BE.
Kur Maqedonia do të hyjë në NATO, përfundimisht përmbyllet çështja se a do të bëhet me këtë shtet. Jo vetëm se NATO do të dalë në mbrojtje të kufijve tanë, por brenda NATO-s shkëmbehen informacione dhe me qasje të përbashkët veprohet kundër kërcënimeve të reja”,- tha koordinatori nacional për në NATO, Stevo Pendarovski.
Në rast të dështimit të referendumit për emrin, si parakusht për marrjen e ftesës për në NATO, Pendarovski thotë se Maqedonia do të duhet të vazhdojë bisedimet me Greqinë, por kontestin do të duhet ta zgjidh një gjeneratë e re politikanësh.
“Nëse tani nuk arrijmë që plotësisht të vërtetojmë marrëveshjen sikurse me vullnet të popullit, po ashtu edhe me vullnet politik në parlament, atëherë mbetet që të vazhdojmë negociatat edhe në të ardhmen, pasi që qëllimet strategjike janë këto, BE dhe NATO. Sipas meje, kjo do t’i lihet ndonjë gjenerate të re të politikanëve”,- tha koordinatori nacional për në NATO, Stevo Pendarovski.
Sipas Pendarovskit, pa marrë parasysh llojit të referendumit që do përcaktojë parlamenti, verdikti i popullit do të jetë obligativ, duke ritheksuar se marrëveshja me Greqinë për emrin është dakordimi më i mirë i arritur në këto rrethana politike.