Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore ka kërkuar nga presidenti Pendarovski që të përfshihen më shumë në politikat ekonomike. Nga OEMVP thonë se vetëm kështu mund të ketë rezultate konkrete në masat që ndërmerr qeveria.
“Arritja e këtyre masave të propozuara në mënyrë efikase dhe efektive janë të mundura me kyçjen e komunitetit të biznesit në procesin e marrjes së vendimeve”,- deklaroi Nebi Hoxha nga OEMVP.
Presidenti Pendarovski pranon se investuesit e huaj përmirësojnë imazhin e shtetit, por janë ndërmarrjet vendore ato që nxisin rritjen ekonomike. Për të është e nevojshme pikërisht që investuesve vendorë t’u ofrohen kushtet e njëjta si atyre të huaj.
“Zhvillimi më i madh ekonomik në mënyrë dominante vjen nga investitorët e brendshëm. Investitorët e huaj janë të nevojshëm veçanërisht në pjesën e brendeve të njohura të cilët ndryshojnë perceptimin për vendin tonë. Pra, patjetër duhet të keni një kompani multinacionalë, që kur do të vijë në shtetin tonë do të thotë që ky shtet është i sigurt për investim. Por, sërish them se nuk duhet të qëndrojmë në atë se nëse nuk i kemi të huajt kemi dështuar. Duhet të ketë një trajtim të barabartë”,- tha presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.
Nga OEMVP shohin te presidenti personin neutral që mund të balancojë situatat ekonomike dhe politike e që mund të mbrojë të gjitha interesat ekonomike e politike në mënyrë korrekte.