Presidenti Stevo Pendarovski sot ka marrë pjesë dhe ka mbajtur fjalim në një Uebinar me temën “Problemet gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor gjatë korona krizës, perspektiva Euroatlantike”, të organizuar nga Asociacioni Alumni në Qendrën Marshall të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në partneritet me Qendrën Marshall nga Garmish dhe Sektorin për diplomaci publike të NATO-s.
Pendarovski, siç është cituar në kumtesën e Kabinetit të tij, ka theksuar se pandemia e Kovid-19 fundamentalisht e ndryshoi gjithë botën dhe shkaktoi efekt të madh negativ. E ka potencuar edhe presionin mbi sistemin tonë shëndetësor, për të cilin ka shtuar “se gjithashtu ishte i madh, por për fat të mirë ne nuk prekëm deri në kufijtë e lartë të kapacitetit të tij dhe arritëm ta shmangim kolapsin e sistemit kombëtar”.
Presidenti është kthyer në dezinformatat dhe fushatat hibride lidhur me Kovid-19 dhe shfrytëzimin e keqpërdorimin e tyre. Në “oqeanin e lajmeve të këqia”, ka përkujtuar presidenti Pendarovski, lajm i mirë është që u bëmë anëtare e NATO-s në mars, dhe pa dyshim është hap i rëndësishëm strategjik përpara që e bëri Maqedonia e Veriut në të gjithë historinë e saj post-komuniste.
“Kjo na mundësoi t’i shfrytëzojmë mekanizmat për koordinim me NATO-n dhe lidhjet bilaterale zyrtare me vendet tjera-anëtare, me qëllim që më mirë të përgatitemi për fushatën e dezinformatave e cila ishte përforcuar kur u futëm në periudhën parazgjedhore”, ka theksuar presidenti.
Duke folur për sfidat me të cilat përballet rajoni, si dhe BE-ja në kushte të korona-krizës ka porositur se rajoni ka nevojë të ketë perspektivë evropiane. Presidenti Pendarovski ka shprehur pritje se këtë vjeshtë do të arrihet përparim në procesin e inkuadrimit në BE. Sipas paralajmërimeve, këto ditë, duhet të kemi Qeveri të re, nga e cila, ka shtuar presidenti, pret zbatim të tërësishëm të agjendës së BE-së në fushat e rëndësishme.
“Parakushti kryesor për sukses është të mblidhen personat më të shkathët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike ose politike. Pres të shoh njerëz me kapacitete të fuqishme proevropiane dhe demokratike, me shënime të pastra antikorruptuese”, ka porositur presidenti Pendarovski.
Ai ka vlerësuar se mungesa e perspektivës së BE-së gjithmonë i nxit agjendat politike alternative dhe se gjatë pandemisë kemi parë shumë shembuj të tillë.