Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski pas ndryshimit të pushtetit në Greqi, nuk pret kthesë nga ana greke sa i përket Marrëveshjes së Prespës, por pret, siç thotë, qëndrim pak më rigid në lidhje me zbatimin e marrëveshjes, veçanërisht në pjesën e shenjave tregtare të produkteve nga pjesa veriore e Greqisë dhe nga Maqedonia e Veriut.
“Nuk pres kthesë. Pres qëndrim pak më rigid në lidhje me zbatimin e marrëveshjes. Domethënë të sqaroj ose të përkthej- nuk presim obstruksione nga Qeveria e re greke, tani në tetor, kur duhet të sillet vendim përfundimtar për hapjen e negociatave, për datën e negociatave. Megjithatë kuptohet se pres për shkak të qëndrimit të tyre të njohur politik prej më parë, se në muajt dhe vitet e ardhshme, në kuadër të negociatave për kapitujt e ndryshëm, do të kërkojnë zbatim strikt të disa dispozitave nga Marrëveshja e Prespës, veçanërisht në pjesën e shenjave tregtare. Kemi komision të veçantë të formuar i cili duhet të shënojë të gjitha produktet të cilat dalin nga pjesa veriore e Greqisë dhe nga Maqedonia e Veriut dhe ndoshta në atë pjesë do të kërkojnë zbatim më rigid të marrëveshjes, e cila është e qartë dhe në këtë segment”, thotë presidenti Pendarovski në intervistën për Televizionin N1, gjatë pjesëmarrjes së tij në Samitin e Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore, të mbajtur në Sarajevë.
Në lidhje me procesin e anëtarësimit të vendit në BE, ai thotë se është i vetëdijshëm se Bashkimi Evropian merret me vetveten, por se ai duhet të dijë se ne në Ballkan jemi 30 vite në tranzicion dhe duhet të shohim dritën në fund të tunelit.
Ai në intervistë porosit edhe se pret që Maqedonia e Veriut në vjeshtë t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE.
“Në mënyrë objektive të gjithë ne në Maqedoninë e Veriut jemi pak të dëshpëruar nga folja e dyfishtë nga ana e Bashkimit Evropian si tërësi. Vitin e kaluar në Sofje në Samit, ne kemi formulim të qartë, të kristaltë se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria do të fillojnë negociatat, gjegjësisht se do të marrin datën për negociata në qershor të vitit 2019. Kjo nuk ka ndodhur. Ne jemi të bindur nga personat më të lartë gjermanë se kjo është vetëm shtyrje teknike e procesit dhe ne këtë e pranojmë. Do të presim vendimin e shtatorit të Bundestagut gjerman dhe të tetorit të gjithë Bashkimit Evropian. Megjithatë, e parashtrojmë pyetjen – çka nëse në ndërkohë ndonjë Parlament tjetër njëjtë, nga shkaqet teknike, e shtyn procesin, sepse atje keni vendosje në parim të koncensusit. Një shtet mjafton të thotë jo dhe ne kemi shtyrje të sërishme”, thotë presidenti Pendarovski.
Ai vlerëson se kjo çështje është shumë e rëndësishme për ne. Ne, shton, vazhdimisht flasim për hapa historikë, jetojmë në kohë historike dhe normalisht si ballkanas të vjetër të mirë ose më pak të mirë e teprojmë në atë punë.
“Megjithatë periudha e fundit prej një ose dy viteve, periudhë historike për shtetin tonë sepse ne bëmë diçka që nuk e ka bërë askush në historinë e përgjithshme diplomatike në botë. Ne e ndërruam emrin e shtetit. Paraprakisht kishim emër tjetër, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, megjithatë tanë emri i ri Maqedonia e Veriut vlen edhe në brendi në rendin juridik të shtetit tonë dhe kjo hasi në rezistencë të rëndësishme te një pjesë e popullatës sonë, qytetarëve tanë”, thotë presidenti Pendarovski.
Ai pyet se çfarë perspektive ai, ose ndonjë politikan tjetër i Ballkanit mund t’i ofrojë popullit të tij nëse procesi evropian, vetëm për negociata, zgjat 10 ose 15 vite.
“Domethënë Bashkimi Evropian, e di se merret me veten, me arkitekturën e tyre të brendshme, por Bashkimi Evropian duhet të dijë se ne jemi në Ballkan 30 vite në tranzicion dhe ne duhet të shohim, me të vërtetë, duhet të shohim dritë në fund të tunelit”, tha presidenti Pendarovski.