Shtatë ditë kanë mbetur deri në ditën kur 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të votojnë në Këshill, nëse Maqedonia dhe Shqipëria duhet të marrin datë për nisje negociatash.
Pas Gjermanisë, pritet që vendim pozitiv për Maqedoninë të japë edhe parlamenti i Holandës, por ekziston frika se votë “pro” nuk do të japë për Shqipërinë. Këtë e konfirmoi edhe Presidenti i vendit Stevo Pendarovski.
Ndërkaq qëndrimin e Francës pritet ta kumtojë vetë Presidenti Emanuel Makron më 17 tetor, tregoi Pendarovski. Ai pret vendim pozitiv nga Franca, e nëse kjo ka ndonjë mëdyshje për zgjerimin, këto lidhen me problemet e brendshme të BE-së.
“Nuk ka asnjë lidhje me dosjen tonë. Tekstualisht gjithçka, edhe francezët e dinë këtë dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së. Nuk bëhet fjalë për diçka që ne nuk e kemi kryer. Ju mund të paraqiteni sa të doni dhe tek kush të doni në botë megjithatë gjithçka që ishte kërkuar në samitin e BE-së në Sofje, gjithçka është përmbushur. Nuk e di se çfarë do të mund të bënim tjetër. Është bërë mjaft vetëm duhet ndarë datë për bisedime”, deklaroi presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Sa u përket zërave për bllokim që vijnë nga Sofja zyrtare, Pendarovski tha se është i sigurt që Bullgaria nuk do të na bllokojë me kushte, tani, para vendimit të Këshillit Evropian. Çështjet mes shteteve mbeten për t’u parë nga mesi i vitit të ardhshëm në kuadër të kornizave negociuese.
“Unë mendoj se nëse kjo çështje vjen në rend dite, do të jetë diku në mes të vitit të ardhshëm kur procesi negociues do të fillojë të rrjedhë me dinamike më të madhe. është problematike dhe e pamundur të komentoni pozitat negociuese elementët e së cilës ende nuk i dini”, tha Stevo Pendarovski, president i RMV-së.
28 vendet anëtare të BE-së pritet që më 15 tetor të thonë fjalën e tyre nëse Maqedonia dhe Shqipëria meritojnë të nisin negociatat për aderim në BE.
Ai që më me entuziazëm po pret këtë vendim duket të jetë zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani i cili çdo ditë në Facebookun e tij numëron se edhe sa ditë kanë mbetur deri tek ajo që e quan “vendimi i madh”.
Pas komunikimit me telefon me Ministren për Evropë dhe përfaqësuesen e Francës në BE Ameli de Monshalen, Osmani shkroi se “negociatat e Maqedonisë së Veriut me BE-në paraqesin mundësi që të demonstrohet në vepër kredibiliteti i perspektivës evropiane në rajon, duke dërguar kështu sinjal të qartë deri tek të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.