Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski me ftesë të presidentit të Republikës së Polonisë, Andzhej Duda sot po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Polonisë. Pendarovski në Varshavë u prit me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, ndërkaq pas takimit me presidentin polak, tha se Maqedonia e Veriut vazhdon të gëzojë mbështetjen e Polonisë në rrugën e eurointegrimeve.
“Vizita në Poloni si konfirmim i dialogut të përforcuar politik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Polonisë. Bisedime me Presidentin Andrzej Duda për çështjet aktuale të sigurisë, krizën energjetike dhe ekonomike, sfidat me të cilat përballemi së bashku në Evropë. Integrimet tona evropiane, një nga pikat kyçe të diskutimit, duke marrë parasysh mbështetjen e fortë polake që patëm për fillimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në”, ka shkruar Pendarovski.
Presidenti Pendarovskit do të realizojë takim edhe me kryeministrin e Republikës së Polonisë, Mateuzh Moravjecki, ndërsa bashkë me presidentin Duda do të marrë pjesë dhe do të ketë fjalim në tryezën e rrumbullakët me përfaqësues të Odave dhe bizneseve polake, si dhe përfaqësues të sektorit biznesor të vendit tonë, ngjarje që mbahet nën organizim të Agjencisë polake për investime dhe tregti dhe Kabineti i presidentit polak.
Në kuadër të vizitës zyrtare është paraparë që presidenti Duda ta dekorojë presidentin Pendarovski me dekoratën më të lartë polake, “Dekorata e Shqiponjës së Bardhë”, ndërsa presidenti Pendarovski ta dekorojë presidentin Duda me Dekoratën “8 Shtatori”, si simbol i partneritetit dhe miqësisë mes dy shteteve.