Pendarovski: Tensionet në Kosovë nuk do ta rrezikojnë sigurinë tonë

Presidenti Stevo Pendarovski deklaroi sot se nuk pret që tensionet e fundit në Kosovë do të kenë ndikim në gjendjen e sigurisë në vend.

Marketing

“Edhe po të ketë tensione në të ardhmen në Kosovë me karakter të ngjashëm, profil ose proporcione të ngjashme, ato nuk do të jenë të tilla, që ta rrezikojnë rrethinën e Kosovës, veçanërisht të shtetit tonë”, theksoi presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, duke u përgjigjur sot në pyetjen e gazetarëve.

Ai informon se institucionet përkatëse këto ditë dhe në javët e kaluara syhapur e kanë ndjekur gjendjen në kufirin verior dhe sipas të gjitha informacioneve tensionet atje po zvogëlohen. Sipas tij, këto janë vlerësimet e shërbimeve të KFOR-it në Kosovë, të faktorëve kyç ndërkombëtarë dhe të institucioneve tona të cilat bashkëpunojnë me to.

“Në këtë moment trendet për kërcënim të sigurisë janë në rënie, gjendja po qetësohet dhe këto janë vlerësimet për një periudhë të shkurtër kohore, sepse atje parashikime afatgjate nuk mund të bëhen, është jofalënderuese, me siguri ta dini se çka do të ndodh”, deklaroi Pendarovski, i cili sot ishte për vizitë të parë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtatmadhorinë e Armatës.

Për çështjen e njëjtë ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, e cila sot ishte nikoqire e presidentit Pendarovski, theksoi se edhe ne dhe i gjithë rajoni jemi të vetëdijshëm se rrezikimi i sigurisë te fqinjët tanë gjithnjë ka pasoja negative. Në vend se të frikohemi, nënvizoi, ne si shtet dhe si Qeveri vendosëm që të veprojmë.

“Për këtë në vitin 2017 e vendosëm fokusin në anëtarësimin tonë në NATO. Të sigurojmë që shteti ynë të ketë garanci shtesë të sigurisë, madje edhe në rast të jostabilitetit rajonal. Pikërisht për këtë nuk presim ndikim të drejtpërdrejtë në siguri, e as ndaj treguesve ekonomikë”, tha Shekeriniska.

Në lidhje me idenë për shkëmbim të territoreve dhe korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, Pendarovski tha se nuk mund të paramendojë diçka më të keqe të ndodhë nëse dikush seriozisht mendon që të hyjë në një projekt të tillë.
Sipas tij, bëhet fjalë për ide anakronike e cila nuk i takon shekullit 21. Në botën e sotme moderne, tha, ne duhet me dialog dhe me kompromis t’i zgjidhim të gjitha problemet.

“Punën më të lehtë që mund ta bëni është që ta pastroni territorin nga ata që janë të ndryshëm nga ju ose unë dhe të sundoni ashtu me të gjitha territoret”, theksoi presidenti i shtetit.

Vlerëson se bukuria dhe pasuria e shtetit tonë dhe e të gjitha vendeve përreth, të cilët janë njëjtë multietnike, është pikërisht llojllojshmëria.

“Sa më shpejtë duhet të ndërpritet me interpretimin e asaj teme. Flas për politikanët të cilët janë në pushtet në shtetet rreth nesh, edhe te ne nëse dëshironi. Kjo mund të jetë punë e ekspertëve dhe gazetarëve, por jo e politikanëve përgjegjës, sepse është e papërgjegjshme që të bisedohet për një ide të shëmtuar në thelb për shkëmbim të njerëzve dhe territoreve në shekullin 21. Për herë të fundit një punë e tillë ka ndodhur, me mbështetje të forcave të mëdha në vitin 1923. Turqia dhe Greqia edhe sot e kësaj dite i bartin pasojat nga ai shkëmbim i njerëzve dhe territoreve”, tha mes tjerash presidenti Stevo Pendarovski.

Marketing