Pentagoni përgatit planin e pergjigjeve të mundshme ndaj Iranit

Zyrtarët e Pantagonit do t’ia paraqesin presidentit amerikan, Donald Trump, një gamë të gjerë opsionesh ushtarake se si t’i përgjigjet SHBA-ja një sulmi ndaj industrisë së naftës në Arabinë Saudite.
Uashingtoni e ka fajësuar Iranin për sulmin.

Marketing

Ushtria më 20 shtator do ta paraqesë para presidentit Trump një listë të synimeve të mundshme të sulmeve ajrore brenda Iranit, mes përgjigjeve të tjera të mundshme, i thanë agjencisë AP disa zyrtarë amerikanë të afërt me këtë çështje.

Zyrtarët thanë se Pentagoni do të paralajmërojë gjithashtu Trumpin, se veprimi ushtarak kundër Iranit, mund të përshkallëzohet në një konflikt të plotë të armatosur.

Vendimi për hakmarrje ndaj Iranit, mund të varet nga lloji i provave që amerikanët dhe hetuesit sauditë janë në gjendje të ofrojnë, për të mbështetur pretendimet se sulmet u nisën nga Irani.

Disa zyrtarë të administratës, përfshirë sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, kanë pohuar se Teherani ishte pas sulmit.

Pas takimit me aleatët në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Pompeo tha më 19 shtator se ekzistonte një “konsensus i jashtëzakonshëm në rajon” që Irani kreu sulmin pavarësisht mohimeve të tij.

SHBA-ja u përgjigjet kërcënimeve të Iranit
Irani ka mohuar përfshirjen dhe paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se çdo sulm do të çonte në një “luftë gjithëpërfshirëse” me Teheranin.

Megjithë pretendimet, sekretari Pompeo ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara “do të donin një zgjidhje paqësore” ndaj krizës së shkaktuar nga sulmi.

Tensionet në rajon janë rritur, pas sulmit të 14 shtatorit, në një fushë të naftës saudite dhe fabrikës më të madhe në botë të naftës së papërpunuar.

Rebelët Huthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, kishin thënë më herët se ishin mbrapa sulmit përderisa Teherani mohon çdo përfshirje.

Por, Uashingtoni dhe Rijadi kanë fajësuar Teheranin për sulmin.

Të mërkurën, Arabia Saudite ka paraqitur disa pjesë të raketave dhe dronëve, që tha se tregojnë se sulmi “është sponsorizuar padyshim nga Irani”.