Për 1 mijë euro kërkonin 24 mijë, arrestohen fajdexhinjtë

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përmes punës hetimore dhe operative në funksion të implementimit të planit operativ “Stop fajdesë dhe detyrimit” në dy lokacione të ndryshme, ka realizuar sot me sukses dy operacione policore, me ç’rast ka arrestuar dy persona të dyshuar të involvuar në vepra penale si fajde, armëmbajtje pa leje, kanosje dhe shtytje në vetëvrasje.

Marketing

“Një operacion bastisjeje është realizuar nga ora 06:00, në Shtime, ku është arrestuar i dyshuari me inicialet K. S. (viti i lindjes 1986), si dhe në shtëpinë e tij janë konfiskuar disa dëshmi materiale: një revole e tipi BROWN, cal. 9mm, gjashtë copë fishekë dhe shënime me emra të personave të cilëve dyshohet se i njëjti u ka dhënë para me fajde. Operacioni tjetër është realizuar në Lipjan, ku është arrestuar i dyshuari me inicialet B. M. (viti i lindjes 1983), ku në shtëpinë e tij, gjithashtu janë gjetur dëshmi me shënime relevante për dhënie të parasë me fajde”, thotë Policia e Kosovës.

Veprime hetimore lidhur me rastin janë ndërmarrë pas pranimit të informacioneve se personat e dyshuar i kanë dhënë viktimës së rastit para me fajde në vlerë prej një mijë (1.000) euro në fillim të këtij viti, ndërsa tani kërkojnë nga ai njëzet e katër mijë (24.000) euro, si kamatë në emër të fajdesë.

“Gjatë kësaj periudhe, të dyshuarit tashmë të arrestuar nga Policia, kanë kanosur me jetë viktimën, me qëllim që t’ua jap paratë dhe si pasojë e presionit të ushtruar nga të dyshuarit, i njëjti po ashtu gjatë muajit qershor të këtij viti ka tentuar edhe të bëjë vetëvrasje”, thekson Policia.

I gjithë operacioni për arrestimin e të dyshuarve është realizuar me urdhër të gjykatës kompetente dhe është mbështetur nga njësitet relevante policore rajonale, duke përfshirë edhe njësitë e specializuara.

Pas procedurave të intervistimit të dy personave të dyshuar, me urdhër të prokurorit ndaj tyre është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Policia, bazuar në mandatin e saj ligjor, mbledh dhe analizon të dhëna për dukuri të ndryshme kriminale, të cilat mund të paraqesin rrezik për shoqërinë dhe njëkohësisht bën planifikime operacionale për parandalimin e veprave penale, në rastin konkret fajdesë dhe detyrimit.

Qëllimi i këtyre operacioneve policore është identifikimi, parandalimi, hetimi dhe arrestimi i të dyshuarve që në çfarëdo mënyre janë të inkriminuar me VP të fajdesë dhe detyrimit.

Bashkëpunimi i ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, lidhur me luftimin e këtyre veprave penale si dhe bashkëpunimi me qytetarët në këtë drejtim është i domosdoshëm.

Vlen të potencohet se në këtë aspekt PK-ja ka bashkëpunim shumë të ngushtë me qytetarët, ndaj të cilëve jemi shumë mirënjohës dhe falënderues.

“Me qëllim të sensibilizimit dhe avancimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit me qytetarë, si dhe me qëllim të parandalimit dhe luftimit të veprave penale fajde&detyrim ftojmë qytetarët që kanë informata ta kontaktoni Policinë e Kosovës në tel: 192, 0800 19999, ku ju sigurojmë se të gjitha informacionet tuaja do të trajtohen me seriozitet”, thekson në fund Policia e Kosovës.

Marketing