Për 5 ditë, gati spitali modular në Tetovë

Në Tetovë, edhe pse pritej që të lëshohet në përdorim që në muajin janar spitali modular për trajtimin e pacientëve me Covid-19, megjithatë tre muaj pas këtyre paralajmërimeve ende nuk është gati. I njëjti filloi të ndërtohet gjatë muajit dhjetor dhe tashmë do të duhej të trajtonte pacient me coronavirus, por kanë mbetur edhe disa punë pa u kryer. Nga Spitali Klinik i Tetovës theksojnë se objekti për pesë ditë do të jetë gati.

Marketing

“Një objekt nuk mund të lëshohet në përdorim përderisa nuk është bërë pranim-dorëzimi teknik i atij objekti. Para pranim-dorëzimit gjatë mbikëqyrjes ka vërejtje nga anëtarët e Komisionit, prandaj do të duhen të bëhen edhe disa riparime. Në atë komision bëjnë pjesë anëtarë nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, firmës që kryen punët dhe ne si spital. Ka vërejtje të vogla në lidhje me ndërtimin e objektit. I është dhënë afat pesë ditor firmës që të riparojnë ato probleme brenda objektit. Krahas kësaj brenda, për një javë besojmë se do të përfundojë edhe afati i tenderimit të kyjçes në sistemin qendror të oksigjenit”, tha Artan Etemi, drejtor ekonomik i Spitalit Klinik të Tetovës.

Në ndërkohë, koordinatori i qendrës Covid-19 në Tetovë, Gëzim Nuredini, thekson se ky spital modular është i mirëseardhur, por deri më tani kanë pasur hapësira të mjaftueshme në Spitalin Klinik të Tetovës për të trajtuar pacientët me Covid.

“Neve që në fillim kemi thënë se Spitali Klinik i Tetovës ka hapësira të mjaftueshme për të pranuar pacientë me Covid 19 dhe deri më tani nuk kemi patur edhe shumë nevojë për spitalin modular, prandaj fokusimi ynë ka qenë tek pacientët që i kemi të shtruar. E di se ka disa pengesa administrative rreth spitalit modular dhe besoj se do të tejkalohen, por e ritheksoj se nuk është problem hapësira, por vet pandemia e cila bart me vete sëmundje vdekjeprurëse. Për hapësira nuk e kemi patur nevojë emergjente, por ndoshta spitalet më të vogla e kanë këtë mungesë por gjithsesi se vënia në funksion do të jetë në shërbim të pacientëve”, thotë koordinatori i qendrës Covid në Tetovë, Gëzim Nuredini. Ky spital modular në Tetovë ka kapacitet për të trajtuar 35 pacient me coronavirus. (koha.mk)