Për çfarë do të mbahet mend Ivanovi?

Pas një dekade në Vilën Vodno, Presidentit Gjorge Ivanov sot i skadoi mandati i kreut të shtetit. Si Presidenti i katërt me radhë që nga Pavarësia e Maqedonisë, ai në këtë fron qëndroi nga viti 2009 për dy mandate rresht. Ish-shefi i shtetit Ivanov, ishte pasardhës i Branko Crvenkovskit, Boris Trajkovskit dhe Kiro Gligorovit. Në Zgjedhjet Presidenciale të vitit 2009, si kandidat i VMRO DPMNE-së, Ivanov në balotazh fitoi kundër kandidatit të LSDM-së Lubomir Frçkovskit, kurse pas 5 vjetësh mandatin e vazhdoi, gjithashtu nga rrethi i dytë i Zgjedhjeve Presidenciale të vitit 2014, kundër kandidatit Stevo Pendarovski. Ky i fundit arriti ta zëvendësoj atë në fronin e burrështetasit, pikërisht sot, pas skadimit të mandatit të dytë. Por, për çfarë do të mbahet mend Presidenti Ivanov?

Marketing

Presidenti në ikje në këtë periudhë 10 vjeçare është dëshmuar si një militant i partisë, e cila e ka kandiduar, pra VMRO DPMNE-ja. Njëri i dëgjueshëm i strukturave të saj dhe posaçërisht të ish-liderit Nikolla Gruevski. Por, sidomos Presidenti aktual do të mbahet mend për disa incidente, të cilat kanë ndodhur ose me mos ushtrimin e detyrës së tij konform Kushtetutës ose me shkeljen e kompetencave që ia jep Kushtetuta ose me abstenim të ushtrimit të detyrës së tij.”- theksoi Naser Ziberi, Analist Politik

Pas marrjes së mandatit të dytë, posti i Ivanovit u kundërshtua nga opozita e atëhershme e LSDM-së, me akuzën e falsifikimit të votave, dhe bojkotin e BDI-së për mospërkrahje nga elektorati shqiptarë.

Ai ndryshoi kursin duke ashpërsuar retorikën kundër lëvizjeve opozitare, kurse nuk legjitimoi as Ambasadorët e emëruar shqiptarë. Ivanov gjithashtu, refuzoi të nënshkruaj Ligjin për përdorimin e gjuhëve, duke mos njohur si zyrtare, gjuhën shqipe.

Presidenti Ivanov, njëherit edhe Komandant suprem i forcave të armatosura ushtarake, asnjëherë nuk e njohu emrin e ri të shtetit, duke mos i nënshkruar ndryshmet kushtetuese, të dala nga Marrëveshja e Prespës. Për shkak se mbanin vulën Maqedonia e Veriut, ai nuk nënshkroi asnjë nga ligjet reformuese që së fundmi solli Kuvendi, të vlerësuara nga pushteti si kusht për hapjen e bisedimeve për integrim në BE.

Vendimi i tij në prill të vitit 2016 për falje të përgjithshme për të gjithë të dyshuarit nga Prokuroria Speciale, nxiti “Revolucionin e Larmë”, protesta të cilat për disa muaj kërkuan dorëheqjen e tij. Ai u zmbraps duke tërhequr vendimin pas tre muajsh, por duke akuzuar opozitën dhe ambasadorët e huaj për futjen e vendit në krizë politike.

Nga Instituti për hulumtime politike thonë se vendimet e Ivanovit nuk duhet të merren si qëllimkëqija. Vlladimir Bozhinovski, nga ky institut vlerëson se periudha turbulente e pesë viteve të fundit ka sfiduar skajshmërisht pozitën e kreut të shtetit, por sipas tij, Ivanov ka vepruar me maturi.

Duhet që të kaloj edhe pak kohë për tu shuar frustrimet në shoqëri dhe atëherë të vlerësohet roli i Presidentit në rastet që ndodhën në Maqedoni, parasegjithash do të thoja nga 2004 e këtej. Mendoj se ka bërë disa veprime që mund të ishin kundërthënësve, por vlerësoj se kishte qëllime të mira. Por, është çështje tjetër nëse ato qëllime a kanë prodhuar rezultat tjetër.”- u shpreh Vlladimir Bozhinovski, Analist politik

Sipas analistit Naser Ziberi, Ivanov në mënyrë indirekte ka nxitur ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Kuvend, duke mos i dhënë mandatin për formim të Qeverisë, Kryeministrit të tanishëm Zoran Zaev. Si pasojë, u nxitën protestat e “Të palëkundurve” kundër gjuhës shqipe dhe të ashtuquajturës “Platforma e Tiranës”. Madje, vet ai pati deklaruar se kjo cenën sovranitetin e shtetit, andaj Ziberi thotë se ish-Presidenti Ivanov duhet të ndiqet penalisht, duke dhënë përgjegjësi para drejtësisë.

Marketing