Për dy ditë janë shqiptuar 1.415 gjoba në komunikacion, shumica për tejkalim të shpejtësisë
Gjatë fundjavës së kaluar, në kuadër të kontrolleve të përforcuara në rrugët e vendit, policia ka shqiptuar gjithsej 1.415 masa për kundërvajtje në komunikacion. Numri më i madh i shkeljeve lidhet me mosrespektimin e shpejtësisë së lejuar.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë periudhës 18–19 korrik janë regjistruar 298 kundërvajtje për tejkalim të shpejtësisë.
Për drejtim të pakujdesshëm të automjetit janë privuar nga liria 58 persona. Prej tyre, shtatë kishin drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, ndërsa 28 pa patentë shoferi.
Gjatë fundjavës janë konfiskuar edhe 23 automjete, në përputhje me nenin 300-b të Kodit Penal.
Statistikat policore tregojnë se janë regjistruar edhe 199 kundërvajtje për parkim të parregullt dhe 47 raste të drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit.
Gjithashtu, janë sanksionuar 125 motoçiklistë për mosmbajtjen e helmetës mbrojtëse dhe 183 pjesëmarrës në komunikacion për mosvendosjen e rripit të sigurimit.
Në përputhje me Ligjin për automjete, nga komunikacioni janë larguar 18 automjete të paregjistruara dhe 12 automjete për shkak të parregullsive teknike. Janë sanksionuar edhe tre shoferë për mosrespektim të kushteve ligjore lidhur me errësimin e xhamave të automjeteve.
Nga MPB-ja paralajmërojnë se kontrollet e përforcuara në komunikacion do të vazhdojnë edhe gjatë periudhës së ardhshme. Njëkohësisht, u bëhet thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë. / Aktuale.mk
