Për ESHS-në, Kosova vazhdon të jetë Serbi

Edhe pse Maqedonia para 10 viteve e njohu Republikën e Kosovës, Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS) vazhdon të injorojë të dhënat për këmbimin tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovës. Sipas këtij institucioni, Kosova nuk është më partner numër një sa i përket eksportit të mallrave drejt tregut të Kosovës dhe importit të mallrave kosovar në tregun e Maqedonisë, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Për të qenë absurdi edhe më i madh, Kosova në listën e Entit të Statistikës vazhdon të konsiderohet si Serbi. Kjo u pa edhe në konferencën e ditës së hënë të organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë (OEM) e që si partner më të madh dhe më të rëndësishëm të Maqedonisë, u paraqit Gjermania, ndonëse me Kosovën, e ka tregtinë më të madhe. “Si partner tjerë të mëdhenj të këmbimit tregtar paraqitet Serbia, Bullgaria, Greqia, Italia, Romania, Spanja, Turqia dhe Britania e Madhe”, tha për KOHA, Tatjana Shterjova nga OEM. Në pyetjen se pse Kosova nuk është partner i rëndësishëm tregtar, edhe përkundër të dhënave se Maqedonia drejt Kosovë ka realizuar eksport të mallrave në vlerë mbi 300 milionë euro.

“Këto të dhëna që i prezantova janë tregues zyrtar të publikuara në ueb faqen e Entit Shtetëror të Statistikave. Se pse Kosova nuk është në mesin 10 partnerëve të mëdhenj tregtar më të rëndësishëm të Maqedonisë, është mirë të pyetet Enti i Statistikave”, arsyetohet Shterjova. Ndërkohë, nga ESHS nuk deshën të përgjigjen në pyetjen se pse Kosova nuk është në listën e dhjetë shteteve si partner tregtar të rëndësishëm për Maqedonisë.

OEM informoi se më pak se 5 për qind nga ndërmarrjet vendore mikro, të vogla dhe të mesme realizojnë eksport në tregjet rajonale, ndërsa vetëm 3 për qind janë të pranishme në ndonjërin prej tregjeve të Bashkimit Evropian, sepse ende janë të kufizuara në mënyrë kadrovike, financiare dhe teknike.

“Pjesëmarrja e eksportit në BPV duhet të rritet prej 50 në 75 për qind, ndërsa për këtë nevojitet përmirësim i dukshëm i sektorit tregtar. Kapacitet më të madh për të pushtuar tregje të reja ose intensifikim të eksportit ekzistues kanë kompanitë nga sektori ushqimor, farmaceutik, kimik, i drurit, metalik dhe industrisë së mobiljeve, si dhe tekstilit”, deklaruan nga OEM. (koha.mk)

Marketing