Dita e Flamurit dhe dita e Çlirimit, 28-29 Nëntori, janë jo vetëm data të shënuara për lirinë dhe sovranitetin e kombit tonë, por edhe ditë pushimi, që bashkë me të hënën dhe fundjavën bëhen 5 ditë gjithsej për administratën publike.
Shqiptarët kanë prenotuar tashmë, si për jashtë, edhe për brenda vendit. Pasi pyetëm agjenci të ndryshme udhëtimi, rezulton se shqiptarët do t’i festojnë 28-29 Nëntorin kryesisht në Turqi.
“Ditët e fundit kemi vënë re shtime të prenotimeve, përfshirë edhe për turet e gjata që nisin të shtunën dhe mbarojnë të mërkurën. Këtë vit, duke parë trendin e prenotimeve, destinacioni ‘top’ që ka bërë diferencën nga destinacionet e tjera është Stambolli, për aty kanë qenë kërkesat më të larta. Të preferuara kanë qenë edhe Roma, Amsterdami, Barcelona etj.
Përsa i përket prenotimeve brenda vendit, ato nuk kanë qenë në lartësinë e pritshmërive tona, pasi tendenca ka qenë për të udhëtuar jashtë. Por destinacionet e preferuara brenda Shqipërisë kryesisht nga shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë Korça, Thethi dhe Valbona. Janë të shumtë edhe shqiptarët që po zgjedhin vendet e diasporës sikurse janë Prizreni, Prishtina dhe Peja, apo Mali I Zi, Kroacia etj“, shpjegon operatorja turistike, Viola Dhoga.