Shumica e gjermanëve, 51 për qind e 1000 të anketuarve, e konsiderojnë mbrojtjen e mjedisit si prioritet, edhe nëse vjen në kurriz të rritjes ekonomike sipas rezultateve të një sondazhi në Gjermani.
Banka gjermane ING-DiBa AG, në një anketë të porositur, pyeti qytetarët nëse ruajtja e natyrës është më e rëndësishme se rritja ekonomike, për të cilën 14 për qind e të anketuarve janë përgjigjur negativisht, ndërsa pjesa tjetër nuk kanë thënë asgjë.
Pyetjes së kundërt, nëse rritja ekonomike është më e rëndësishme se mbrojtja e mjedisit, janë përgjigjur pozitivisht nga 24 për qind dhe negative nga 43 për qind.
Të rinjtë, në grup-moshat 18 deri në 24 dhe 25 deri në 34-vjeç, kryesisht e vendosin ekonominë përpara mbrojtjes së mjedisit dhe në përgjithësi, shumica e të anketuarve vlerësojnë se mbrojtja e mjedisit duhet të jetë në fokus.
Kur u pyetën se sa të gatshëm janë të ndryshojnë zakonet e tyre për hir të mbrojtjes së mjedisit, pak më shumë se dy të pestat e të anketuarve thanë se kishin ndryshuar zakonet e tyre, mbi 30 për qind thanë se mund ta imagjinonin ta bënin atë, ndërsa një e katërta refuzuan ose e konsideroi temën e parëndësishme.
Rezultatet tregojnë se etiketimi i qartë i paketimit të produktit, shkalla e efikasitetit të energjisë ose të dhënat për mënyrën e rritjes së kafshëve, ndikojnë në vendimin përfundimtar të konsumatorit.
Më shumë se gjysma e të anketuarve thanë se e kanë të vështirë të gjykojnë se cilat produkte janë bërë në përputhje me rregullat e ligjit për mbrojtjen e mjedisit.
Një faktor i rëndësishëm për konsumatorët në Gjermani janë çmimet. Dy të tretat e qytetarëve gjermanë pajtohen se produktet e qëndrueshme janë më të shtrenjta dhe afërsisht një në tre gjermanë tha se nuk mund t’i përballonte këto produkte.