Koalicioni VLEN vazhdon të thyejë tabutë dhe të sjellë standarde të reja në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në një zhvillim historik, për herë të parë që nga pavarësimi i vendit, një grup parlamentar shqiptar përbëhet në shumicë nga gra. Grupi parlamentar i VLEN numëron gjithsej 10 deputetë, prej të cilëve 6 janë gra dhe 4 burra, një fakt që reflekton filozofinë përfaqësuese dhe përparimtare të këtij koalicioni.
Ky nuk është vetëm një statistikë, por një dëshmi konkrete se barazia gjinore për VLEN nuk është sllogan zgjedhor, por realitet në praktikë. Gratë e VLEN nuk janë aty për kuotë apo fasadë, ato janë profesioniste të përgatitura, aktiviste të zëshme dhe lidere të vërteta, të gatshme të çojnë përpara një politikë të re, të ndershme dhe me moral politik.
Në një klimë politike ku për vite me radhë gratë janë lënë në hije apo janë trajtuar si figurante në listat zgjedhore, VLEN po sjell një frymë të re dhe po vendos standarde që më herët konsideroheshin të pamundura. Përfaqësimi i grave në nivel të lartë parlamentar është një fitore jo vetëm për VLEN, por për të gjitha gratë shqiptare në vend, një sinjal i qartë se epoka e “politikës së vjetër” po lë vend për vizionin e ri.