“Qytetarët e Maqedonisë kanë qenë “të privilegjuar” për marrjen e pasaportave bullgare”.
Kjo ka dalë nga dëshmia për televizionin bullgar kombëtar BTV, i një personi i cili nga afër ka qenë i njohur me “procedurën korruptive” në Agjencinë bullgare jashtë vendit, skandal i cili ka dridhur Bullgarinë dhe ka shkaktuar arrestim të drejtorit të Agjencisë.
Sipas dëshmitarit, me kandidatët për pasaporta bullgare kanë punuar mbi 100 ndërmjetësues të cilët ju kanë ndihmuar në mbledhjen e dokumenteve dhe adresave për regjistrim. Ai ka thënë se qytetarët e Maqedonisë për pasaportë bullgare kanë paguar deri një mijë euro, ndërsa ata të Kosovës deri pesë mijë euro.
“Më lehtë mund të bëhesh bullgar nëse hap ndërmarrje dhe punëson 10 punëtor. Mbi bazë të aktiviteteve të tregtisë merret status i qëndrimit të përhershëm. Mënyra e dytë është kur shtetasit e huaj të vendeve jashtë BE-së posedojnë firma dhe nxjerrin dokumente për hapjen e selisë tregtare në Bullgari. Kurse varianti i tretë, që është përdorur më shpesh ditëve të fundit është të nxirret dokument për prejardhje bullgare”, ka thënë dëshmitari.
Sipas tij, ndërmjetësuesit kanë siguruar adresa të rrejshme për kërkuesit e pasaportave bullgare.
Ndryshe, në Bullgari hetimet e deritanishme kanë çuar në paraburgimin e tre personave nga Agjencia shtetërore bullgare jashtë vendit, ndërsa pas skandalit katër persona janë arrestuar edhe në Serbi, të cilët dyshohen për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve për marrje të pasaportës bullgare.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë thonë se nuk kanë marrë kërkesë nga ana e Bullgarisë që të kyçen në hetimet për këtë problem, ndërsa thonë se do të veprojnë menjëherë nëse një gjë e tillë kërkohet.