Për mosrespektimin e rregullave të epidemisë deri më tani janë shqiptuar 72 masa në hotelierinë në rajonin e Tetovës

Që nga fillimi i pandemisë më 12 mars, Inspektorati Shtetëror i Tregut në rajonin më të gjerë të Tetovës ka shqiptuar masa ndaj 72 subjekteve hotelierike për shkelje të rregullave gjatë epidemisë, informoi sot Stojko Paunovski, drejtor i inspektoratit. Sipas tij, inspektorët kryejnë rreth 60 inspektime çdo ditë.

Marketing

“Shumica e këtyre kontrolleve vlen për hotelierinë. Deri më tani, në rajonin e Tetovës janë sanksionuar 72 subjekte për mosrespektim të vendimeve, ndaj të cilave janë shqiptuar masat e duhura. Ne kemi shqiptuar 27 urdhër-pagesa kundërvajtëse. Disa prej këtyre janë paguar, disa nga urdhëresat e papaguara shkojnë në gjykatë”, theksoi Paunovski.

I pyetur se çfarë shumash të gjobave janë paguar, drejtori tha se të dhënat do të dihen pasi ta përmbledhin punën gjysmëvjeçare të Inspektoratit Shtetëror të Tregut.

“Punën në inspektoratin shtetëror të tregut nuk e kryejmë sipas departamenteve, sepse ndodh që në departamentin në Tetovë, të dërgojmë për inspektim të punësuar inspektorë nga departamenti në Manastir, në Ohër të dërgojmë nga Shkupi. Çdo inspektor për kontrollin e tij e zhvillon procedurën deri në fund dhe ajo që ne e bëjmë në përputhje me Ligjin për mbikëqyrjen e inspektimit është t’i përmbledhim të gjitha rezultatet e kontrolleve të kryera, të cilat përfshijnë vetë pagesën e gjobave. Ne e bëjmë atë dy herë në vit sipas ligjit të ri”, theksoi Paunovski.

Sipas Paunovskit, të gjithë inspektorët do të duhet të bëjnë raporte të tilla në përputhje me detyrimet e tyre ligjore deri më 30 qershor, ndërsa një raport gjithëpërfshirës do të duhet të dorëzohet në Këshillin e Inspektimit.