Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht ka qenë optimist për rritje ekonomike, si dhe punësim të madh në Kosovë përgjatë qeverisjes së tij.
Madje ai pati deklaruar se janë hapur mbi 25 mijë vende të reja pune.
Por pavarësisht këtij deklarimi, shumë shpresëdhënëse nuk janë këto “zhvillime” edhe për të rinjtë e Kosovës.
Shumë prej të rinjve të vendit thuajse çdo muaj zgjedhin që të largohen, thënë qartë të ikin nga Kosova.
Të njëjtit në të shumtën e rasteve marrin rrugën e Evropës, e më së shumti atë të Gjermanisë.
Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, nga ku është thënë se shpesh herë kërkesat për aplikim të një termini vize kanë tejkaluar të gjitha pritshmëritë.
Vetëm në mars të vitit 2022, Ambasada e Gjermanisë thuhet të ketë pranuar 48 mijë e 44 kërkesa për terminet të cilat janë në dispozicion për aplikim për vizë pune.
“Për shkak të kërkesës tejet të madhe për termine për viza me qëllim fillimin e punësimit sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor, e cila i tejkalon dukshëm terminet që janë në dispozicion dhe për të siguruar mundësi të barabarta gjatë aplikimit për një termin, që nga dhjetori i vitit 2021 këto termine në shtetet e Ballkanit Perëndimor jepen çdo muaj nëpërmjet një procedure të shortit. Për procedurën e shortit në mars 2022 ambasada i ka pranuar 48.044 kërkesa për terminet që janë në dispozicion për aplikim për vizë.”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Tutje është theksuar se nga të gjitha regjistrimet, nga gjeneratori i rastësishëm i drejtuar në mënyrë kompjuterike në një procedurë të shortit janë përzgjedhur ata, të cilët e marrin një termin për aplikim në muajin e ardhshëm.
“Ambasada ofron rreth 500 deri në 800 termine çdo muaj për këtë kategori, derisa të arrihet numri maksimal i vizave prej 5.500 në vit. Mund të llogaritet, se ata, të cilët nuk kanë sukses për të rezervuar një termin, provojnë sërish në muajt pasues.”.
Nga ambasada gjermane u tha se për shkak të pandemisë COVID-19, që nga fillimviti 2020, deri më 4 korrik 2021 kanë qenë në fuqi kufizimet e udhëtimeve hyrëse drejt Gjermanisë. Prandaj gjatë vitit 2020 dhe 2021, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë lëshoi vetëm viza të kategorive të caktuara, të cilët kanë qenë të përjashtuara nga këto kufizime.
Në kuadër të këtyre përjashtimeve kanë hyrë vizat për bashkim familjar, për studime dhe kategori të caktuara të vizave të punës për punonjës, me kualifikime të larta.
“Para pandemisë, në vitin 2019 Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar më shumë se 50.000 viza. Prej tyre rreth 36.000 viza kanë qenë për qëndrime afatshkurtra (viza Schengen), si dhe rreth 15.000 viza nacionale për qëndrime afatgjata (d.m.th. për bashkim familjar, viza pune, viza studimi, etj.).”, u shtua tutje në përgjigjen e ambasadës gjermane.
Për shkak të kufizimeve të udhëtimit të shkaktuara nga pandemia e COVID-19, në vitin 2020, Ambasada e Gjermanisë ka lëshuar vetëm rreth 18 mijë viza, për të gjitha kategoritë.
“Këtu përfshihen 8.000 viza afatshkurtra (Visa Schengen) dhe rreth 10.000 viza për qëndrime afatgjata. Shumica e vizave të lëshuara në vitin 2020 kanë qenë viza për qëllime të bashkimit familjar, meqë kjo kategori ka qenë e përjashtuar nga kufizimet e udhëtimit për shkak të COVID-it.”, u theksua nga Ambasada e Gjermanisë.
E një vit më vonë, saktësisht përgjatë 2021-ës, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë lëshoi rreth 34.000 viza.
Në këto viza janë përfshirë 17 mijë viza afatshkurtra, si dhe rreth 17 mijë viza për qëndrime afatgjate ( për qëllime të bashkimit familjar, viza të punësimit, studimit dhe të tjera.
“Në vitin 2021 Ambasada Gjermane Prishtinë ishte një nga ambasadat gjermane që ka lëshuar më së shumti viza në mbarë botën.”
Ndryshe që nga 1 janari i vitit të kaluar, në fuqi është pjesa vijuese e rregullores për Ballkanin Perëndimor.
Deri më 31 dhjetor 2023, shtetasit nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën, kanë një qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës-pavarësisht nga kualifikimi i njohur në Gjermani.
Kush për dhënien e vizës vazhdon të mbetet miratimi i Agjencisë Federale të Punës.
“Brenda një viti kalendarik mund të lëshohen maksimalisht 25.000 miratime për aplikacione të tilla, 5.500 në vit nga të cilat për aplikues nga Kosova. Ky numër korrespondon deri diku me numrin e vizave të kësaj kategorie të lëshuara para pandemisë.”, u tha gjithashtu nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
Njashtu është bërë e ditur se në vitet e kaluara, ambasada ka rritur dukshëm kapacitetet e përpunimit të kërkesave për viza.
Kësisoj zyra e vizave është cilësuar si një prej zyrave më të mëdha gjermane në mbarë botën.
“Mirëpo kërkesa edhe më tej i tejkalon kapacitetet tona dhe koha e pritjes fatkeqësisht nuk mund të mënjanohet. Situata është e njëjtë edhe në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ku gjithashtu terminet për këtë kategori jepen përmes procedurës së shortit, pasi që kërkesa për termine i tejkalon numrin e termineve në dispozicion.”, u përfundua në përgjigjen e ambasadës gjermane.
Por pavarësisht gjithë kësaj, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka bërë të ditur se sa i përket bazës vjetore shifrat e përgjithshme për viza në kuadër të katër muajve të parë të vitit 2022 ende nuk janë bërë publike.
“Statistikat rreth vizave publikohen vetëm mbi bazë vjetore nga Ministria e Jashtme Federale. Shifrat për vitin 2022 nuk janë publikuar ende.”
Nga viti në vit, qytetarë të shumtë të Kosovës kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës duke aplikuar për t’u bërë shtetas të ndonjë prej vendeve të huaja në botë.
Kësisoj largimi nga Kosova, qoftë për punë apo për bashkim familjar mbeti një nga zgjidhjet e shumta që kosovarët vendosën të bëjnë në mënyrë që sipas tyre të bëjnë një hap tutje, për një jetë më të mirë.
Qytetarët e Kosovës janë ndër të vetmit të cilët vazhdojnë të mos kenë liberalizim të vizave. Pamundësia e lëvizjes së lirë pa nevojën për të aplikuar për vizë, shpesh herë e ka vështirësuar jetën e këtyre qytetarëve. Anipse në të shumtën e rasteve është thënë se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave, të njëjtit ende mbeten në “shpresën” e dritës jeshile për liberalizim të vizave.