Për shëndetësinë në vitin 2020 janë paraparë 7,1 miliardë denarë

“Propozim-buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2020 paraqet 7,1 miliardë denarë, dhe është më i lartë për 634 milionë denarë krahasuar me buxhetin për këtë vit. Për vitin e ardhshëm parashohim masa dhe politika të cilat janë në drejtim të avancimit dhe përforcimit të sistemit shëndetësor përmes përmirësimit të kushteve në institucionet shëndetësore publike, furnizimit të pajisjeve mjekësore, si dhe sigurimit të barërave”, theksoi sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në konferencën për shtyp në Qeveri.

Marketing

Ai deklaroi se këtë vit e filluan me rritje të rrogave të punonjësve shëndetësorë, ndërkaq ky trend i rritjes së rrogave dhe përmirësimit të kushteve për punë të personelit mjekësor do të vazhdojë edhe vitin tjetër.“Në vitin 2020, kanë përfunduar aktivitetet ndërtimore për rikonstruimin e Spitalit special për ortopedi dhe traumatologji “Shën Erazmo” në Ohër, ndërkaq vazhduan edhe aktivitetet ndërtimore në Spitalin e përgjithshëm në Strumicë, si dhe rikonstruimi dhe ndërtimi i përfunduar i Spitalit special për sëmundje kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup”, tha Filipçe.

Si prioritete të ardhshme ai i theksoi rikonstruimin e kaldajës në Spitalin special për gjinekologji dhe obstetrikë “Nëna Terezë” në Shkup dhe të kulmit të Entit për nefrologji në Strugë, më pas fillimin e aktiviteteve ndërtimore në Spitalin special për sëmundje respiratore në Oteshevë, ndërtimin e një ambulante tërësisht të re në komunën e Sarajit dhe dy blloqe të tëra për të sëmurët në Spitalin psikiatrik në Demir Hisar, si dhe rikonstruimi i disa institucioneve shëndetësore publike, ndërkaq me mjetet në shumë prej 812 milionë denarëve do të vazhdojë ndërtimi i Spitalit të ri klinik në Shtip dhe Qendrës së re universitare klinike në Shkup.

Me propozim buxhetin për vitin 2020, theksoi ministri, do të sigurohen edhe insulina, gjilpërat për insulinë, glykagoni, shiritat për matje të sheqerit dhe pompat për furnizim të vazhdueshëm të insulinës, për çka janë paraparë 750 milionë denarë.