82 raste me simptome të fruthit janë regjistruar gjatë javës së kaluar. Raporti javor i Institutit të shëndetit Publik njofton se 74 prej tyre janë me fruth. 44 në Shkup ndërsa 30 nga qytete të tjera të Maqedonisë. Pos Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës, epidemi e fruthit është shpallur edhe në Gjevgjeli. Ministri i Shëndetësisë tha se po shqyrtohet mundësia e shpalljes së epidemisë në gjithë territorin e vendit.
“Komisioni për sëmundje infektive pranë MSH është në komunikim të përditshëm dhe po mbledh informacione për çdo rast të ri, qoftë prej atyre që mbahen për spital qoftë prej rasteve që lëshohen në shtëpi dhe varësisht prej kësaj, intervenohet edhe në qytete të tjera të shtetit”, pohoi Venko Filipçe, ministër i Shëndetisë.
Për momentin në Klinikën Infektive në Shkup qëndrojnë të shtrirë 29 pacientë, ndërkaq katër prej tyre janë në gjendje të rëndë dhe nën aparate të frymëmarrjes.
“Nga fillimi i epidemisë në dhjetor të vitit të kaluar e deri më sot, gjithësej në Maqedoni janë rregjistruar 412 raste të fruthit. Numri më i madh i tyre, apo 368 janë të lidhura me epideminë në Shkup ndërsa pjesa tjetër janë rregjistruar në 11 qytetet tjera të Maqedonisë. Deri tani janë hospitalizuar më shumë se 70 pacientë për shkak të gjendjes së rëndë”, theksoi Vladimir Mikiq nga Instituti i Shëndetit Publik.
Që nga shpallja e epidemisë e deri më tani, janë vaksinuar mbi 9000 persona me vaksinën kundër fruthit.