Ish prokurorja speciale, Katica Janeva mund të dënohet me gjobë prej 100 deri në 400 euro, për shkak të zhveshjes në të brendshme në Entin Shtetëror të Revizionit javën e kaluar.
Për shkak të një veprimi të tillë policia ka përpiluar procesverbal për kundërvajtje, ndërsa ish-shefja e PSP-së po ndiqet penalisht në bazë të Ligjit kundër shkeljeve të rendit dhe qetësisë publike.
Më 3 qershor, Janeva nga arresti shtëpiak u soll në Entin Shtetëror të Revizionit për të inspektuar raportin e revizorëve të cilët e analizuan mënyrën e shpërndarjes së shpërblimeve të larta në ish PSP-në.
Sipas avokatëve të Janevës, ajo e ka bërë një veprim të tillë pasi e shqetësuar ka kërkuar avokatë ose përfaqësues nga Avokati i Popullit dhe meqë nuk i është lejuar, në shenjë revolte është zhveshur.
Ndryshe ish prokurorja speciale është një nga të akuzuarit në rastin “Zhvatja”.