“Zdravje Radovo”, fabrika më e madhe e qumështit në Maqedoni do të shitet. Më datën 16 të këtij muaji një përmbarues ka kryer sekuestrim të pjesës së pronës në fabrikën e qumështit që është lider në blerjen e qumështit dhe prodhimin e djathit dhe kaçkavallit. Sipas dokumentit zyrtar të publikuar në Regjistrin Qendror , “Zdravje Radovo” ka borxh 4 milionë euro dhe 300 mijë euro si borxh kryesor, 20 mijë euro në bazë të interesit dhe 9 mijë euro plus shpenzime të TVSH-së për përmbaruesin.
Shitjen e fabrikës së qumështit do ta bëjë NLB Tutunska banka prej ku fabrika ka marrë kredi dhe nuk e ka kthyer. Njoftimi do të publikohet edhe në gazetat ditore, një lëvizje që pritet të tërheq blerësit e interesuar .Dy kompani shfaqen si pronarë në “Zdravje Radovo”.
99% të fabrikës së qumështit janë në pronësi të kombinatit bujqësor “Pellagonia” ndërsa 1% posedon Shoqata “Pellagonia Enerxhi”. Pronarë të Kombinatit Bujqësor “Pellagonia” janë Orka Holding e Orce Kamçevit, Cvetal Pandelevski dhe kompania kontroverse of- shor “Eksiko”. Në këshillin e drejtorëve të Kombinatit janë pesë anëtarë, mes të cilëve drejtorë jo- ekzekutiv janë Kamçev dhe Pandelevski, i cili është pronar edhe i kompanisë “Pelisterka”.
Pikërisht këta të dy janë në paraburgim për rastin “Perandoria” të Prokurorisë Speciale e cila i ngarkon për më shumë vepra penale, bashkim kriminel, dëm dhe autorizim të kreditorëve, abuzim të pozitës zyrtare, mashtrim dhe larje parash. Në listën e të dyshuarve janë edhe ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijalkov, Ratka Kunovska- Kamçeva, Hristina Kamçeva- Stojçevska apo gjithsej 13 persona.
Kompania e dytë që paraqitet si pronare e “Zdravje Radovo”, Shoqata Pellagonija Energji gjithashtu është sekuestruar për shkak të borxhit të Fabrikës së Qumështit. Ndryshe, këtë verë Kuvendi I aksionerëve të kombinatit bujqësor paralajmëroi se shet pjesëmarrje në disa ndërmarrje. Në mesin e tyre u has edhe Shoqata Pellagoanija Enerxhi. Në shitje është vendosur pjesëmarrja e vetme prej 100 për qind për një çmim jo më të vogël se 8,5 milionë euro.
Marrja përsipër e “Zdravje Radovo” filloi në vitin 2015, kur Kamçevi dhe Pandelevski u bënë aksionerë pakicë. Më pas, në vitin 2017 KB Pellagonija e bleu në tërësi fabrikën e qumështit për 12,6 milionë euro, gjegjësisht Kamçevi dhe Pandelevski ia dorëzuan aksionet vetvetes, gjegjësisht Kombinatit të tyre bujqësor Pellagonija.
Fabrika e qumështit “Zdravje Radovo” ka tre fabrika, në Manastir, Kumanovë dhe Strumicë si dhe qendra shpërndarëse në Trubarevë të Shkupit dhe në Manastir. Sipas vlerësimeve atje punojnë mbi 300 persona. Alsat M kontaktoi drejtuesit e fabrikës në Shkup, megjithatë përgjigja nga të punësuarit ishte se të gjithë kompetentët që duhet të japin përgjigje janë nëpër mbledhje.