PËRBALLJA ME KRIZËN, VAZHDIMI I REFORMAVE DHE RUAJTJA E NIVELIT TË RRITJES

Pas tre dozave të vaksinave, javën e kaluar dola pozitiv me kovid, me ç’rast një javë
kalova në izolim në shtëpi dhe shkrova këtë kolumnë dhe falë teknologjisë nuk pati
ndërprerje të punës dhe të gjitha takimet e planifikuara i realizova virtualisht.
Komplimente për të punësuarit në Ministrinë e Financave që ishin gjatë gjithë kohës në
krye të detyrës, si dhe për udhëheqësnë me të cilët funksionojmë si një ekip. Por qëllimi
im është në një aspekt tjetër, ne tashmë po përballemi me një krizë tjetër, krizën
energjetike dhe inflacionin si dhe pasiguritë e mëdha në tregje nga lufta në Ukrainë,
ndërsa ende nuk ka përfunduar kriza e mëparshme, përkatësisht kriza e kovidit është
ende e pranishme. Pra, kemi përkim të krizave, njëra pas tjetrës, kjo në aspektin
kumulativ e bën situatën më të vështirë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Marketing

Përkimi i krizave, njëra pas tjetrës
Aftershock – goditje, efekt nga goditjet e madha paraprake ose thënë më mirë përkim
krizash – njëra pas tjetrës. Kjo përshkruan më së miri atë që po ndodh me ekonominë
botërore aktualisht. Ky është Aftershock-u i krizës së shkaktuar nga pandemia kovid-19,
i stimuluar më tej nga zhvillimet gjeopolitike që kulmuan në luftën në Ukrainë. Kriza e
koronës është kriza më e madhe ekonomike me të cilën është përballur bota që nga
Depresioni i Madh. Megjithatë, ekonomia botërore shumë shpejt arriti të ngrihej në
këmbë. Pas rënies së ekonomisë globale në vitin 2020 prej -3.1%, në vitin 2021 pasoi
rimëkëmbja e shpejtë me rritje të fuqishme të PBB-së prej 6.1%. Falë reagimit pa
kompromis dhe të fuqishëm të hartuesve të politikave, bota arriti ta kapërcejë këtë krizë
shumë më shpejt dhe në mënyrë më efektive sesa kriza financiare globale. Ekonomive
të zhvilluara dhe atyre në zhvillim iu desh vetëm një vit për t’u rikthyer në nivelin para
krizës, në krahasim me krizën globale financiare, ku goditja ishte më e lehtë, por zgjati
më shumë.
Por, ndërsa bota dhe ekonomia u rikuperuan me sukses nga pandemia, u shfaq një
kërcënim i ri – aftershock-u. Si pasojë e ngadalësimit apo ndërprerjes së tërësishme të
aktivitetit ekonomik, oferta lidhur me mallrat dhe shërbimet në tregjet botërore pësoi
rënie. Gjatë hapjes së sërishme të ekonomisë, oferta nuk arriti t’i përgjigjej rritjes së
shpejtë të kërkesës dhe si rrjedhojë pati rritje të çmimeve në bursat botërore,
veçanërisht të energjisë dhe disa prej produkteve primare. Sigurisht, ekzistojnë edhe
faktorë të tjerë që kanë ndikuar lidhur me këtë. Kishte një sërë zhvillimesh rajonale që
kontribuan në mungesën e energjisë, duke përfshirë përpjekjet e Bashkimit Evropian
për zvogëlimin e emetimeve të CO2.
Rritja e çmimit të energjisë në bursat botërore, duke përfshirë edhe produktet e tjera
primare, kanë nxitur presionet e përgjithshme të çmimeve, të cilat përmes tregjeve
ndërkombëtare janë përhapur në ekonomitë nacionale. Këto presione arritën kulmin pas
fillimit të invazionit rus në Ukrainë, duke pasur parasysh rëndësinë e Rusisë dhe

Ukrainës në zinxhirët evropian dhe botëror të furnizimit. Evropa pothuajse 40 për qind të
gazit natyror dhe 25 për qind të naftës i furnizon nga Rusia, ndërsa një e treta e
eksportit botëror të grurit vjen nga Rusia dhe Ukraina, si dhe një e pesta e eksportit të
misrit dhe 80 për qind nga eksporti i vajit të lulediellit.
Kjo rezultoi në rritjen e normave të inflacionit, të cilat për shumicën e ekonomive thyejnë
rekordet e vendosura dekada më parë. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës
(ILOSTAT), norma vjetore e inflacionit në nivel global, e matur me indeksin e çmimeve
(CPI) në muajin mars u rrit në 9.2%, që është rritje në krahasim me muajin shkurt kur i
njëjti indeks ishte 7.5%, në muajin janar 6.8%, ndërsa në muajin dhjetor të vitit 2021
ishte 6.4%. Si përkujtesë, në dekadën e kaluar norma e inflacionit ishte e ulët në
mënyrë konstante, madje shumë e ulët dhe për disa banka qendrore ishte sfidë për
arritjen e targeteve. Pritshmëritë e Fondit Monetar Ndërkombëtar janë që në muajin prill
tek ekonomitë e zhvilluara norma e inflacionit këtë vit të jetë mesatarisht 5.7%, ndërsa
për vendet në zhvillim 8.7% ose 1.8 dhe 2.8 pikë përqindjeje më e lartë se projeksionet
e muajit janar.
Njëkohësisht, me rritjen e presioneve të çmimeve, të nxitura kryesisht nga rritja e
çmimeve të energjensave, ushqimit dhe disa produkteve të tjera primare, përkeqësohen
perspektivat edhe për rritjen e ekonomisë globale. FMN-ja pret që rritja globale të
ngadalësohet nga 6.1% e rritjes së PBB-së në vitin 2021 në 3.6% në vitin 2022 dhe
2023. Ky është rishikim në rënie me 0.8 dhe 0.2 pikë përqindjeje në krahasim me
projeksionin e muajit janar, përkatësisht pas fillimit të luftës në Ukrainë. Megjithatë,
skenari bazë është që këtë vit ekonomia të jetë pozitive, siç është rasti i aftershock-ut,
që është një goditje më e vogël se goditja paraprake.

Trekëndëshi i paevitueshëm për hartuesit e politikave ekonomike
Lufta në Ukrainë solli një dilemë të rëndësishme për hartuesit e politikave. Nga njëra
anë është ballafaqimi me inflacionin dhe nga ana tjetër është mospengimi i
rimëkëmbjes së ekonomisë. Gjithashtu, nga njëra anë janë masat dhe përkrahja e
kategorive të ndjeshme dhe nga ana tjetër përforcimi i baferëve fiskalë, konsolidimi dhe
stabilizimi i borxhit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore këshillojnë se politika fiskale duhet të
adaptohet sipas shkallës së ekspozimit ekonomik ndaj luftës në Ukrainë, gjendjes së
pandemisë dhe rrjedhës së rimëkëmbjes së ekonomisë. Nga njëra anë, për shkak të
ekspanzionit të domosdoshëm fiskal në shumicën e vendeve gjatë pandemisë, borxhi
arriti një rekord të lartë. Gjithashtu, si rezultat i reagimit të bankave qendrore ndaj
presioneve të çmimeve përmes ngushtimit të politikës monetare, qeveritë përballen me
norma të larta të interesit në tregjet e kapitalit. Megjithatë, nevoja për konsolidim nuk
duhet t'i pengojë qeveritë që t’u japin prioritet masave të duhura për përkrahjen e
standardit të kategorive të ndjeshme të qytetarëve, sensitivë ndaj presioneve të
çmimeve dhe mbrojtjen e ekonomisë.

Përballë krizave njëra pas tjetrës dhe përballë sfidës që të mos devijojmë nga ambicia e
përcaktuar për rritje dhe zhvillim, trekëndëshi imponohet në mënyrë të paevitueshme në
arritjen e këtyre tre qëllimeve: përballimi i krizës, ruajtja e nivelit të rritjes dhe
konsolidimi fiskal. Njëkohësisht, kriza kërkon reagime të shpejta dhe krijon kosto shtesë
për buxhetin, ndërsa ruajtja e nivelit të rritjes kërkon politika dhe reforma konzistente që
do të japin efekt në periudhë afatgjate dhe konsolidimi fiskal është “conditio sine qua
non” (kusht pa të cilin nuk mundet) në periudhë afatmesme.
Nga aspekti i menaxhimit të financave publike, arritja e qëllimeve të trekëndëshit të
paevitueshëm trajtohet nga tre anët e buxhetit: ana e shpenzimeve me shkurtime dhe
riproritizim, ana e të hyrave me reforma për efikasitet dhe konsolidim më të madh dhe
ana e financimit me instrumente të qëndrueshme.

Rishikimi i buxhetit: Mjete për masa të reja dhe shkurtime kudo që lejohet
Ekonomia jonë, si e vogël dhe e hapur (me 140% të PBB-së), i nënshtrohet zhvillimeve
ekonomike globale, veçanërisht zhvillimeve në ekonominë e BE-së. Kriza ruso-
ukrainase, në mënyrë indirekte, përmes ekonomisë evropiane u reflektua edhe në
vendin tonë. Kanalet përmes së cilave tashmë ndihet kjo krizë është rritja e çmimit të
produkteve primare, veçanërisht të ushqimeve dhe energjensave. Resprektivisht,
inflacioni në muajin prill shënoi normën më të lartë (10.5%) që nga fillimi i viteve
nëntëdhjetë. Kanalet e tjera përmes së cilave kjo krizë mund të ndikojë në ekonominë
tonë janë tregtia, rënia e besimit të konsumatorëve dhe kështu edhe konsumi dhe
ngushtimi i tregjeve financiare ndërkombëtare.
Sipas kësaj, pritshmëritë për rritje gjatë këtij viti nuk mund të korrespondojnë me rritjen
e projektuar të PBB-së në buxhetin e këtij viti, që u miratua para ngjarjeve në Ukrainë
dhe arriti në 4.6%. Pritshmëritë e institucioneve financiare ndërkombëtare për këtë vit
për ekonominë tonë janë rreth 3% rritje e PBB-së (FMN-ja me projeksion prej 3.2%,
BERZH-i me projeksion prej 3% dhe Banka Botërore me 2.7%). Si do të jetë rezultati,
do të varet vetëm nga ajo që do të ndodhë më tej në Ukrainë, çfarë sanksionesh të reja
do të vendosen ndaj Rusisë dhe se si do të reflektohet e gjithë kjo tek partnerët tanë më
të mëdhenj tregtarë të BE-së.
Megjithatë, një gjë është e qartë, nevojitet ristrukturimi i buxhetit në mënyrë që të
reagojë në mënyrë adekuate ndaj situatës së re. Në Ministrinë e Financave tashmë
zhvillohen konsultime me institucionet për nivelin e realizimit të projekteve dhe
shpenzimet rrjedhëse. Atë që mund të them me plot siguri si ministër i Financave është
se do të jemi maksimalisht konservatorë, kudo që lejohet – do të shkurtojmë. Kjo do të
krijojë më shumë hapësirë ​​për reagime dhe masa të reja, të cilat në bazë të situatës
ndoshta do të nevojiten sërish.
Që nga fillimi i krizës, reagimi i qeverisë ka qenë 615 milionë euro për masa lidhur me
përkrahjen e ekonomisë dhe qytetarëve. Kjo vlerë është ndër reagimet më të fuqishme
ndaj krizës në rajon. Kroacia ka ndarë rreth 635 milionë euro, Greqia 500 milionë euro,

Sllovenia dhe Shqipëria parashohin rreth 200 milionë euro, etj. Qëllimi ynë si Qeveri
është që t’i përkrahim qytetarët, kategoritë e ndjeshme në radhë të parë, për ta ruajtur
ekonominë dhe për ta tejkaluar këtë krizë, e më pas t'i kthehemi rrugës dhe qëllimit drejt
të cilit jemi të orientuar – norma më të larta dhe të qëndrueshme të rritjes ekonomike.

Financimi i deficitit dhe konsolidimi në periudhë afatmesme
Do të shtoj se angazhimi ynë për konsolidimin fiskal mbetet edhe më tej. Në periudhën
afatmesme, pas tejkalimit të krizës dhe rimëkëmbjes së tërësishme të ekonomisë,
deficiti fiskal do të ngushtohet gradualisht, për të mos penguar rritjen, për t'u ulur në
nivelin e përcaktuar nga kriteri i Mastrihtit.
Në këtë drejtim janë edhe njoftimet për financimin rrjedhës së deficitit nëpërmjet
instrumenteve që sjellin kosto më të ulët për ne. Siç e përmenda edhe më lart, çmimi i
kapitalit në tregje do të vazhdojë të rritet si rezultat i ngushtimit të mëtejshëm të politikës
monetare me insistim që të ulen pritshmëritë inflacioniste dhe që të stabilizohen normat
e inflacionit. Banka Qendrore Evropiane njoftoi në mënyrë diskrete rritjen e normës
bazë të interesit që nga muaji korrik, ndërsa Rezervat Federale të SHBA-së, Banka e
Anglisë dhe disa banka qendrore në Evropë kanë rritur tashmë disa herë normën bazë
të interesit.
Prandaj, edhe pse në konstruksionin fillestar ishte planifikuar që Republika e
Maqedonisë së Veriut të emetonte eurobond, duke marrë parasysh zhvillimet në tregun
e kapitalit (Kroacia gjatë muajit prill emetoi eurobond prej 1.25 miliardë eurove për 10
vjet me interes kuponi pothuajse 3%), shkojmë në financim përmes instrumenteve të
dedikuara të institucioneve ndërkombëtare.
Linja kreditore për përkujdesje dhe likuiditet të FMN-së (PLL) është në drejtim të
sigurimit të mjeteve me kosto më të ulët të mundshme, gjë që është gjithashtu sinjal
pozitiv në tregjet financiare. Është vlerësim për ekonominë tonë që ajo është stabile dhe
e bazuar në fundamente të shëndosha makroekonomike, sepse fondi ua cakton këtë
linjë vetëm ekonomive të shëndosha. Resprektivisht, gjatë procesit të aprovimit të këtij
instrumenti, përveç faktit që vendi duhet të ketë vlerësime pozitive gjatë misionit të
fundit të Fondit, gjithashtu bëhet vlerësim shtesë për politikën monetare, politikën
fiskale, stabilitetin dhe supervizionin e sektorit financiar, si dhe përshtatshmërinë e të
dhënave statistikore. Nëse vendi ka ndjeshmëri të dukshme në ndonjërën nga këto
kategori, atëherë ai nuk mund të ketë qasje në këtë instrument.
Gjithashtu planifikohet sigurimi i mjeteve përmes kredive për projekte të dedikuara nga
Banka Botërore dhe BERZH-i. Të gjitha këto instrumente dhe linja janë burime shumë
të favorshme të financimit, më të lira se kushtet aktuale në tregun ndërkombëtar të
kapitalit, ku si duket do të duhet të qasemi me eurobond. Ndërkohë, me kujdes e
përcjellim nivelin e borxhit publik në afatmesëm dhe afatgjatë, qëndrueshmërinë e tij,
dhe gjithësesi, didikimin e mjeteve. Paratë e huazuara duhet te drejtohen te fushat

prioritare për rritje dhe zhvillim ekonomik (për të cilat shkuaj me poshtë), me çka do të
gjenerohen efekte pozitive multiplikative (të shumëfishuara) në ekonominë vendore.

Strategjia për përmirësimin e anës së të hyrave të buxhetit
Në drejtim të realizimit të konsolidimit fiskal, pas tejkalimit të krizës, përveç anës së
shpenzimeve, do të veprohet edhe në anën e të hyrave përmes zbatimit të Strategjisë
së reformave tatimore. Qëllimi kryesor i kësaj strategjie është të ofrojë sistem tatimor të
drejtë, efikas, transparent dhe modern, me teknologji moderne dixhitale dhe inovacione
në tatimim, në funksion të arritjes së rritjes ekonomike të përshpejtuar, inkluzive dhe të
qëndrueshme.
Kjo strategji përfshin pesë prioritete. Prioriteti i parë i referohet drejtësisë më të madhe
në tatimim, me qëllim që të sigurohet që secili t’i përmbushë detyrimet e tyre shoqërore
dhe ta paguajë pjesëmarrjen e tyre të drejtë në tatimim. Nga kjo pritet një model i ri i
projektuar për tatimim të drejtë. Përveç kësaj, prioriteti i dytë është efikasiteti dhe
efektiviteti më i madh i sistemit tatimor për arkëtim më të mirë të të hyrave, përmes
luftës më efikase ndaj veprimtarive të paregjistruara dhe evazionit tatimor si dhe
përforcimit të kapaciteteve institucionale, analizës dhe rregullimit të mëtejshëm të bazës
tatimore si dhe uljes së detyrimeve të prapambetura. Prioriteti i tretë është rritja e
transparencës tatimore, e cila përfshin përmirësimin e shkëmbimit të informacioneve
ndërmjet organeve tatimore dhe subjekteve të tjera, që do të bazohet kryesisht në
shërbimet elektronike dhe dixhitalizimin e proceseve. Prioriteti i katërt është cilësia më e
mirë e shërbimeve dhe prioriteti i pestë është vendosja e tatimimit ekologjik (“të
gjelbër”), me qëllim të stimulimit të obliguesve tatimorë që të reduktojnë sjelljen dhe/ose
aktivitetet e tyre që kontribuojnë në ndotjen.

Kriza si mundësi: reformat strukturore, tranzicioni i gjelbër, dixhitalizimi dhe
kapitali njerëzor
Vazhdimi i reformave strukturore edhe gjatë përballjes me krizën është diçka që
rekomandojnë si Banka Botërore ashtu edhe FMN-ja. Reagimi ndaj sfidave aktuale, por
edhe krijimi i ekonomisë që do të jetë rezistente ndaj sfidave të ardhshme është e
vetmja mënyrë për arritjen e rezultatit të dëshiruar – norma më të larta dhe të
qëndrueshme të rritjes ekonomike, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e standardit dhe
zhvillimin ekonomik.
Në këtë drejtim u zhvillua edhe debati lidhur me platformën për zhvillim të zgjidhjeve
SEFF ose Forumi Ekonomik i Shkupit, që do të mbahet në fund të muajit. Tema e
diskutimit të SEFF-it do të jetë "Ruajtja e nivelit të rritjes ekonomike në kohë pasigurie
dhe përtej", dhe do të bazohet në katër shtylla: 1. Sfidat makroekonomike në kohë krize,
2. Qëndrueshmëria, konkurrenca dhe bashkëpunimi rajonal, 3. Energjia, tranzicioni i
gjelbër dhe infrastruktura dhe 4. Pas krizës: reformat strukturore, kapitali njerëzor,
inovacionet financiare dhe investimet.

Qëllimi i këtij Forumi është t’i inkurajojë të gjithë pjesëmarrrësit, nga hartuesit e
politikave, përmes zbatuesve të politikave e deri te palët e tanguara – të gjithë së
bashku, me mendimin e tyre të kontribuojnë në zgjidhje që do të jenë reagim i duhur si
për krizën ashtu edhe për atë që vijon.
Për kënaqësinë time, folësi kryesor i Forumit do të jetë fituesi i çmimit Nobel në
ekonomi, profesori amerikan Paul Krugman, i cili me analizat e tij do të kontribuojë në
këtë diskutim shumë kompleks, që padyshim do të sjellë përfitime.
Edhe pse kjo do të jetë periudhë shumë e ngarkuar e vitit, duke pasur parasysh që në
të njëjtën kohë punohet edhe në drejtim të rishikimit, pres me padurim, sepse vetëm
përmes luftës së ideve dhe mendimeve mund të arrihen zgjidhje reale.
Në fund dua të theksoj gjithashtu se – vetëm me strategji të mirë dhe plan të mbështetur
mirë mund të arrihen rezultate. Strategjia ekonomike që kemi zbatuar deri më tani na
nxori me sukses nga kriza e pandemisë, për të cilën kemi marrë mirënjohje nga të gjitha
organizatat relevante financiare ndërkombëtare. Jam i bindur se do ta kapërcejmë me
sukses edhe aftershock-un. Do të nërtojmë të ardhme më të mirë!

Marketing