Përdorimi i gjuhës shqipe, Grubi: Inspektorët së shpejti në terren

20 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, gjuha shqipe përdoret në pothuajse të gjitha instancat më të larta shtetërore, theksoi zëvendëskryeministri, Artan Grubi. Megjithatë ekzistojnë institucione të cilat ende nuk i respektojnë obligimet e tyre kushtetuese për respektim të gjuhës shqipe, e asnjë prej tyre ende nuk është sanksionuar.

Marketing

I pyetur se përse inspektorët ende nuk kanë filluar me punë, Grubi tha se inspektorët janë në fazë përfundimtare të trajnimeve.

“Trajnimi i inspektorëve, në përputhje me Ligjin për inspektorate zgjat minimumin nëntë muaj, dhe besoj që në dy muajt në vijim ne do t’i kemi inspektorët e parë për zbatimin e gjuhës shqipe, me ç’rast do të mund të dilet në terren dhe të kontrollohen të gjitha denoncimet për mosrespektim të ligjit për përdorimin e gjuhës.”,- tha zëvendëskryeministri, Artan Grubi.

Edhe drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Fatmir Iseni, konfirmoi një gjë të tillë. Ai theksoi se në ueb-faqen e inspektoratit ka një numër të konsiderueshëm të denoncimeve të qytetarëve, por me punën në terren do të fillojnë pasi inspektorët të marrin licencat.

“Prej momentit të licencimit, inspektorët do të kenë të drejtën të dalin në terren dhe të bëjnë mbikëqyrjen inspektuese të institucioneve. Mbikëqyrjen inspektuese e bëjnë inspektorët e licencuar dhe ato kanë të drejtë të japin dënime dhe vërejtje. Për momentin tash do ti marrin tre inspektorë licencat dhe pjesa tjetër e inspektorëve e kanë kryer testin tre mujor, tash ata do të fillojnë me mentor. Gjithsej janë gjashtë.”,- theksoi drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Fatmir Iseni.

Këto përgjigje u dhanë pas ndarjes së certifikatave për përkthyesit e gjuhës shqipe të cilët punojnë nëpër institucione shtetërore.

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela, bëri thirrje për stimulim të përkthyesve, pasi sipas tij, numri i tyre është në rënie. Ky aktivitet u mbajt në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.