Përfaqësimi adekuat i komuniteteve, Mexhiti: Balancuesi avancohet me ligj

Balancuesi nuk shfuqizohet. Ky instrument për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të komuniteteve në vend do të avancohet me ligj të posaçëm, paralajmëron zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti. Sipas tij, ndryshimi vjen si pasojë e keqpërdorimit vitet e fundit të përfshirjes së komuniteteve nëpër institucione.

Marketing

“Mekanizmi pas vitit 2001 ishte në funksion të përfaqësimit të bashkësive më të vogla, por vitet e fundit kishte kundërefekt. Kishim shumë raste, ku maqedonasi paraqitej si shqiptar, turk, vllah ose ndodhte e kundërta në nivel lokal, pra nuk ishte në funksion, por kundërfunksion, d.m.th., nuk shfuqizohet balancuesi, por avancohet nëpërmjet një ligji të ri për përfaqësim të drejtë. Kjo do të jetë në interes të shtetit multietnik dhe multikulturor të Maqedonisë së Veriut.”, – deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.

Për një debat brendaqeveritar, sa i takon heqjes së balancuesit, kohë më parë janë shprehur edhe nga VMRO – DPMNE-ja. Ministri i transformimit digjital, Stefan Andonovski, ka thënë se balancuesi mund t’i takojë së kaluarës, por duke mos shkelur parimin themelor të Kushtetutës, për përfaqësim adekuat dhe të drejtë të komuniteteve. Më kundërshtues ishin nga “Fronti Evropian”, pasi sipas tyre, me heqjen e këtij mekanizmi goditet Marrëveshja e Ohrit. Balancuesi ishte parashikuar të parandalojë diskriminimin, por që heqja e të njëjtit u aktualizua me deklarimet e rrejshme të qytetarëve sa i takon etnisë gjatë punësimit.