Përfundoi debati publik për ndryshimet kushtetuese për emrin

Dje ka përfunduar debati publik për ndryshimet kushtetuese për emrin. Zyrtarë të Qeverisë debatuan për këto ndryshime në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. “Anëtarësimi në NATO dhe përafrimi në BE, shumë shpejt do të imponojë nevojën për rishikim të shumë aspekteve ndëretnike që për momentin nuk janë përfshirë në këto ndryshime kushtetuese”, deklaroi akademiku dhe rektori i UEJL-së, Abdulmenaf Bexheti.

Marketing

Ai foli për përparësitë e ndryshimeve kushtetuese në shumë aspekte, duke nënvizuar se të njejtat duhet të mbështeten fuqishëm, por duke mos i konsideruar ato si përfundimtare. Ndërkaq, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani tha se nëse nuk përfundon suksesshëm ky proces, pasojat janë tragjike, duke nënvizuar se kjo është një mundësi e papërsëritshme dhe nuk duhet të lëshohet.

“Unë e kuptoj reagimin e njerëzve që presin tekst më të mirë të amendamenteve, por kur ta shihni një presje më shumë ose më pak humbni një deputet, atëherë do të jeni shumë më shumë të kujdesshëm sepse para jush ka një qëllim, se ky proces do të përfundojë me sukses dhe do të bëni gjithçka që është e mundur dhe e nevojshme, sepse pasojat janë tragjike dhe nuk janë të përsëritshme. Kjo është një mundësi e papërsëritshme për ne si gjeneratë”, theksoi Osmani.

Profesori universitar Blerim Reka tha se faza finale e ndryshimeve kushtetuese do të jetë në luftë me kohën në raport me Greqinë, dhe në luftë me numrat në Kuvend. Ai nënvizoi se duhet të shihet se si të binden që të votojnë pro ndryshimeve, tetë deputetët e opozitës maqedonase, që aktualisht janë të përmbajtur, dhe 4 të opozitës shqiptare që kërkojnë riformulim të preambulës. Diskutimi në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë, ku ishte e pranishme edhe Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ishte i pesti dhe me të u përmbyll diskutimi publik për ndryshimet kushtetuese. Paralelisht me të sot u mbajt edhe debati i katërt në Komunën e Shtipit ku morën pjesë kryeministri Zoran Zaev, gjykatësja Margarita Caca Nikollovska dhe profesori universitar Gjorgi Spasov.

Marketing