Konferencë përfundimtare e projektit “Mbrojtje juridike e të drejtave zgjedhore” do të mbahet sot në Shkup në organizim të Institutit për hulumtime juridike dhe politike, me mbështetje të Ambasadës së SHBA-së dhe Ambasadës së Mbretërisë së Holandës.
Projekti i ka përfshirë zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të vitit 2017, referendumin të mbajtur në shtator të vitit 2018 dhe zgjedhjet presidenciale të mbajtura në prill dhe maj të vitit 2019, me ç’rast fokusi kryesor i projektit është vendosur në përforcimin e mbrojtjes së realizimit të lirë të së drejtës zgjedhore përmes kontrolleve, selektimit, përgatitjeve dhe parashtrimit të rasteve lidhur me shkelje të ndryshme, si dhe zbatimin e analizave të rregullativës që është relevante për të drejtën zgjedhore, me qëllim që të kontribuohet në zbatimin e revizionit dhe përmirësimin e Kodit zgjedhor.
Qëllimi përfundimtar, siç thonë nga Instituti për hulumtime juridike dhe politike, është që të dokumentohen dhe profilizohen shkeljet e të drejtave zgjedhore dhe të identifikohen mungesat eventuale të sistemit, me ç’rast fokusi kryesor është vendosur në të drejtën aktive zgjedhore të qytetarit, respektivisht të drejtën që të votohet.
Në konferencë do të prezantohen rezultatet nga aktivitetet projektuese dhe publikimi “Mbrojtja juridike e të drejtave zgjedhore” e autores Jelena Ristiq, drejtoreshë e projektit, me ç’rast fjalim të vetin do të kenë edhe ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, avokati i popullit Ixhet Memeti, ambasadorja amerikane Kejt Bërns, u.d. ambasador i Holandës, Andri van Mens dhe ish-gjykatësja në Gjykatën Evropiane për të drejta të njeriut Mirjana Llazarova-Trajkovska.
Në konferencë do të marrin pjesë edhe ambasadori i OSBE-së, Klemens Koja, përfaqësues të jurisprudencës, sektori joqeveritar dhe organizatat ndërkombëtare.