Ligjëruesit e javës së fundit ishin profesorët Emil Lafe dhe Ajten Hajdari Qamili. Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, pjesëmarrësve të rregullt të trajnimit do t’u ndajë certifikata në shtator të këtij viti
Pas shtatë javësh program të ngjeshur, të mërkurën, 7 korrik, përfundoi trajnimi i lektorëve dhe përkthyesve të administratës në organizim të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës. Në programin dymujor të trajnimeve, morën pjesë 68 përkthyes dhe lektorë nga 31 institucione të ndryshme të administratës, të cilëve në shtator të këtij viti Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve do t’ju ndajë certifikata.
Ligjëruesit e fundit ishin profesori i njohur nga Shqipëria, dr. Emil Lafe, i cili trajtoi çështjet drejtshkrimore dhe pastërtinë e gjuhës dhe prof. dr. Ajten Hajdari Qamili, e cila pjesëmarrësve u ligjëroi për analizën e teksteve.
“Krijimi i AZGJ-së dhe nisja e mbarë e veprimtarisë së saj përbën një ngjarje me rëndësi të veçantë jo vetëm për jetën kulturoro-shkencore e shoqërore të shqiptarëve në RMV, por edhe për kulturën dhe jetën mendore e shoqërore shqiptare në tërësi. Inteligjencia shqiptare në RMV me mbështetjen edhe të faktorit politik shqiptar, ka shënuar përparime domethënëse, veçanërisht në fushën e studimeve albanologjike, të kulturës, të letërsisë dhe të arteve.”, thotë prof. Emil Lafe, i cili ligjëratën e tij me tri grupet e trajnimit, e mbajti onlajn nga Tirana. Ai konsideron se të gjitha këto çojnë te vlerësimi i gjuhës standarde shqipe, si një mjet dhe faktor i dorës së parë për zhvillimin e mëtejshëm cilësor të jetës shoqërore e kulturore të shqiptarëve në RMV, duke i dhënë asaj një vend gjithnjë e më të spikatur në kulturën tonë kombëtare.
“Së bashku me kolegët e tjerë të Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare e kemi mirëpritur ftesën e AZGJ-së për bashkëpunim dhe do të jemi gjithnjë të gatshëm të japim ndihmesën tonë në mbarëvajtjen dhe përmbushjen e programit të saj. Pjesëmarrja jonë në konferencën “Shumëgjuhësia dhe sfidat e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në RMV” (shkurt 2020), na dha mundësi të njohim nga afër detyrat dhe synimet e AZGJ-së, si edhe të vërejmë te punonjësit e saj një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe përkushtimi ndaj detyrës. Ne do të jemi gjithnjë së bashku me ju, sepse detyra juaj është edhe detyra jonë, suksesi juaj është edhe suksesi ynë”, thekson prof. Emil Lafe në vlerësimet e tij për trajnimet dhe aktivitetet, që deri tash ka ndërmarrë AZGJ-ja.
Trajnimet e këtilla, siç vë në dukje profesoresha Ajten Hajdari Qamili, kanë qenë ndër misionet kryesore të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, që do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme, varësisht nga nevojat, pasi dihet se ka mungesë të cilësisë dhe mungesë të kuadrit në institucione.
“Në bazë të kësaj do të bëhet përforcimi i nivelit të përkthyesve dhe lektorëve nëpër institucione, duke marrë profesorë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe nga Kosova, që sjellin përvoja të ndryshme. Ne në këto trajnime, përveçse kemi diskutuar çështje që krijojnë mëdyshje te përkthyesit gjatë punës së tyre ose në terren, njëkohësisht bëjmë edhe marrëveshje kolegjiale me gjuhëtarët nga vendi dhe jashtë, për të njëjtësuar terminologjinë administrative në ato vende ku ka mundësi të bëhet kjo, kurse për më tutje do të ketë edhe kongrese a seminare të tjera me qëllim të njëjtësimit të terminologjisë administrative”-shprehet prof. A.H. Qamili.
Ajo paralajmëron edhe modifikime të profesionalizimit të përkthyesve dhe lektorëve, duke filluar në grupe sikur sivjet, e më pas në ndonjë grup të përbashkët, që të mund mes vete të kenë komunikim për t’i këmbyer përvojat e tyre, për t’i diskutuar çështjet që kanë mëdyshje, për të rritur cilësinë e të gjitha përkthimeve dhe zbatimit të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet shtetërore.
Gjatë këtij cikli trajnues,pjesëmarrësit kishin rast të dëgjojnë ligjërata nga gjuhëtarët më të njohur nga qendrat universitare të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët trajtuan probleme të shumta që dalin nga përdorimi i gjuhës shqipe dhe gjuhëve të tjera zyrtare në administratë. Çështja e terminologjisë dhe njësimit të saj si nevojë, ndikimet e gjuhëve në njëra tjetrën, leksikografia, semiotika, ndikimet në sintaksë dhe një varg problemesh tjera, ishin objekt trajtimi nga profesorët Emil Lafe, Asllan Hamiti, Ismet Osmani, Valter Memisha, Rami Memushaj, Xhevat Lloshi, Berton Sulejmani, Ajtene Hajdari Qamili, Xhelal Zejneli, Afet Mamuti, Qemal Murati, Izer Maksuti, Zeqirja Ibrahimi, Adnan Jashari dhe Mustafa Ibrahimi.