Përfundojnë hetimet për vrasjen e Liridona Ademaj – ngritet aktakuzë ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se kanë përfunduar hetimet dhe kanë ngritur aktakuzë për të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt.

Marketing

Të akuzuarit janë, Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, transmeton Telegrafi.

“Ka qenë rast i ndjeshëm, ka qenë i inskenuar si grabitje, mirëpo falë angazhimit maksimal të hetuesve dhe prokurorëve, brenda një afati të shkurtë kohor kemi arritur të zbulojmë kryesit e kësaj vepre kriminale. Ka qenë një rast jashtëzakonisht i ndjeshëm edhe sa i përket kompleksitetit të saj, dhe janë zhvilluar hetime në shumë dimensione, për arsye se kemi siguruar ekspertiza edhe brenda edhe jashtë Kosovës”, deklaroi kryeprokurori Zejnullah Gashi.
Në konferencë ka folur edhe prokurorja e rastit e poashtu edhe hetuesit.

Ndryshe, Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor të vitit 2023, ndërsa të dyshuarit për planifikimin dhe ekzekutimin e krimit të rëndë janë bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, si edhe Granit Plava e Kushtrim Kokalla.

Rasti i vrasjes së 39-vjeçares, fillimisht ishte hetuar si “grabitje me pasoja vrasje”, por hetimet intensive kishin rezultuar me arrestimin e tre personave, ku Murseli, konsiderohet si koka prapa krimit tronditës.

Disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e Ademajt.

Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes.

Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën.” “Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë”- thuhet në dosje.

Marketing