Pas publikimeve të disa pjesëve të përgjimeve nga dosja 339 nga mediat e ndryshme përfshi edhe gazetën gjermane Bild, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin për nxjerrjen e fakteve të hetimit. Lajmi u bë i ditur nga institucioni i Akuzës dhe nën hetim do jenë personat që kane patur djeni për këtë dosje.
“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka nisur hetimet në lidhje me të dhënat e publikuara mediatikisht, për çështje të hetuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda”, thuhet në njoftim.
Mësohet se hetimet e filluara kryesisht synojnë të nxjerrin në pah, arsyet e publikimit në mënyrë të paligjshme të këtyre përgjimeve që i përkasin çështjes nr 339. Prokuroria do ndjekë me vëmendje rastin duke kryer veprime konkrete per zbardhjen e çështjes.
Bëhet e ditur se objekt i hetimit për nxjerrje sekreti hetimor do jenë prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore që kane kryer veprime hetimore për atë që njihet si “Dosja 339”. Këtu përfshihet edhe qendra e Përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme.
Prokuroria e Tiranes do i kërkojë informacion Prokurorisë së Krimeve të Rënda për grupin hetimor që ndjek çështjen dhe që ka akses në këtë dosje.
Në ditët në vijim pas administrimit të informacionit do merren në pyetje prokurorët dhe oficerët që kanë kryer veprime me Dosjen 339.
Prokuroria ka administruar sot botimet tek të gjitha portalet ku janë publikuar përgjimet me kqyrje direkte.