Në kuadër të vizitave në terren nëpër komuna, nën moton “Ku zemra është në shtëpi”, ministri i Vetëqeverisjes lokale, Zllatko Perinski, së bashku me zëvendësin e tij, Erxhan Selimi, pasdite zhvilluan një takim me qytetarët, përfaqësues të sektorit joqeveritar dhe të biznesit në Komunën e Çairit.
Ata diskutuan mbi disa tema, shkëmbyen mendime, propozime dhe ide për rritjen e sigurisë në komunikacion, përmirësimin e nivelit të higjienës publike, si dhe mënyrat për tejkalimin e sfidave të tjera me të cilat përballen qytetarët. Gjatë takimit u prezantuan edhe ndryshimet e planifikuara në Ligjin për Vetëqeverisjen lokale dhe ndikimi i tyre në përmirësimin e efikasitetit të komunës dhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve publike ndaj qytetarëve. Disa nga të pranishmit kërkuan të shqyrtohet mundësia e vendosjes së sinjalistikës shtesë të ndriçuar në disa rrugë kryesore dhe diskutuan gjithashtu për mundësinë e përmirësimit të higjienës publike.
Ministri Perinski falënderoi qytetarët për interesimin e tyre për bashkëpunim dhe theksoi se mbështetja nga Ministria dhe Qeveria do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Më gëzon fakti që qytetarët janë të interesuar të marrin pjesë aktive në krijimin e zgjidhjeve për kapërcimin e problemeve të caktuara. Një pjesë e tyre do të tejkalohen me ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisjen lokale dhe nuk do të ketë më hapësirë që ato të krijohen. Ministria dhe Qeveria do të vazhdojnë të punojnë së bashku me Komunën për tejkalimin e të gjitha sfidave, me qëllim që të sigurohet një jetë më cilësore për të gjithë qytetarët e Çairit. Të gjithë qytetarët janë të rëndësishëm për ne, ne ekzistojmë dhe punojmë për ta, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, fetare apo çfarëdo tjetër,” theksoi Perinski në takimin me qytetarët e Çairit, ku morën pjesë edhe zëvendësministri i politikës sociale, demografisë dhe rinisë, Gjoko Velkovski, si dhe zëvendësministrja e transportit, Kaltrina Zekoli Shaqiri.