Përkeqësohet situata në Dibër

Pas rasteve të reja të të sëmurëve me koronavirus, kur deri në mesditë numri është rritur në 30, situata në Dibër tashmë është kritike dhe ajo po përkeqësohet. Kështu ka vlerësuar Shtabi operativ në Komunën Dibër, në të cilën ishin të pranishëm edhe përfaqësues të pushtetit vendor, ushtrisë, Drejtorisë për Kriza dhe Shpëtim dhe institucione të tjera që veprojnë në komunë.

Marketing

“Në Dibër arritën përforcimet me mjekë specialist nga Klinika e Shkupit. Tani situata me ekipet mjekësore është mirë”, theksoi kryetari i Dibrës, Hekuran Duka në takimin me gazetarët pas përfundimit të mbledhjes të Shtabit operativ. Ai sqaroi se në Dibër kanë ardhur infektolog, pulmolog dhe pediatër. Duka po ashtu informoi se tërësisht është tejkaluar problemi me plasmanin e prodhimeve që kishin në ditët e kaluar kompania për prodhimin e gipsit “Di Gips” dhe kompania për ambalazhimin e ujit “Maja”. Situata në këtë drejtim po stabilizohet, theksoi kryetari i Komunës, njëherësh kryetari i Shtabit operativ.

“Në aspektin e mirëmbajtjes së higjienës publike, jemi të kënaqur. Tashmë është bërë dezinfektimi i qytetit, por edhe i fshatrave”, tha Duka.

Shtabi operativ informoi se nga shumë organizata humanitare dhe shoqata të ndryshme qytetare, kanë filluar të vijnë ndihma në ushqime, veshmbathje, por sipas Shtabit – nëpërmjet një liste speciale për familjet në rrezik social, do të ftohen të njëjtit me telefon me qëllim që të mos grumbullohen para objekteve ku do të ndahen ndihmat. Në fund të konferencës, kryetari Duka apeloi tek qytetarët të mos grumbullohen në grupe, por vetëm një person nga familjet i mbrojtur me maskë dhe doreza, të realizoj blerjen e artikujve ushqimor dhe nevojave të tjera. “Personat të cilët nuk do të respektojnë këto rekomandime, do të sanksionohen në përputhjen me masat qeveritare”, tha Duka.