Përkthimi amatoresk i titujve të serialeve në gjuhën shqipe dhe roli i përkthyesit

Nga Irena Sedja

Marketing

Padiskutim që ndër mënyrat e shpenzimit të kohës së lirë është dhe televizioni, nje medium që hap dritaret e një bote të re dhe të përfshin këmbë e krye në një realitet tjetër ku gjallon larmia e informacionit, ku frymojnë së bashku kultura të ndryshme dhe ku ëndrrat nuk janë të largëta nga kamera e një televizioni. Përveç faktit se është një mënyrë mjaft e mirë informimi, televizioni mbetet një ndër format më tradicionale të të argëtuarit veçanërisht për njerëzit që bëjnë jetë sedentare.

Krahas emisioneve të ndryshme, një hapësirë të konsiderueshme në programacion mbushin edhe serialet, një trend prej thuajse 20 vjetësh në ekranin shqiptar. Serialet mbulojnë një shikueshmëri mjaft të gjërë të audiencës duke i mbajtur ndjekësit të gozhduar pas ekraneve seri pas serie. Si për t’u mos u mjaftuar, mania e tyre shëmbëllehet edhe në rrjete sociale, ku nëpërmjet një studimi të thjeshtë mëson se lajmet më të klikuara janë ato për vijueshmërinë e ngjarjeve të ardhshme në serinë tjetër. Ato, dashur-pa-dashur, plotësojnë kohën e lirë, por ndonjëherë ndjekja e tyre pa kriter shndërrohet në një grackë për të çuar dëm të çmuarën kohë. Megjithatë, në këtë rast nuk synojmë të peshojmë vlerat apo disavantazhet e tyre, por t’i mëshojmë një prej elementeve kryesore përbërës të një produksioni të tillë.

Ndër taktikat e organizatorëve për të tërhequr sa më shumë shikues, veç publicitetit të vazhdueshëm, është edhe emërtimi me një titull goditës në mënyrë që të krijojë impakt të menjëhershëm tek të interesuarit.

Bujë të madhe kohët e fundit kanë bërë serialet turke, prandaj edhe mëtojmë t’i vëmë lupën e të shohim se cilat kanë qenë ato më pikantet.

Tendencioze apo diletante?

Pavarësisht se procedura e përkthimit zakonisht mbetet në hije, në fakt rëndësinë e këtij procesi e ka dëshmuar vetë historia. Keqpërthimi, tendencioz ose jo, mund të shkaktojë trazira dhe konflikte. E për këtë arsye një përkthyes duhet të jetë i përgjegjshëm dhe korrekt në zanatin e tij, duke mos lënë hendekë nënkuptimesh.

Rëndom ndodh që përkthyesit e serialeve nuk i kushtojnë mjaftueshëm rëndësi titullit, paçka se ky i fundit është vendimtar në impaktin e parë tek ndjekësit.

Mund të them që, ndonëse nuk jam ndjekëse e rregullt e tyre, rishtasi më keqtingëlloi titulli i një seriali që pritet të nisë së shpejti. “Mehmet Pushtuesi” , kështu e kanë përkthyer titullin e serialit më të kushtueshëm të të gjitha kohërave, një serial që pasqyron jetën dhe triumfin e Sulltan Mehmetit. Titulli në turqisht është “Mehmet Bir Cihan Fatihi”. A nuk do të ishte më mirë “Mehmet Triumfuesi”, duke qenë se fill pas pushtimeve vijnë fitoret? A nuk do të ishte e udhës të shmangej konotacioni negativ që po i mvishet serialit kur thuhet “Mehmet Pushtuesi”?

Sigurisht që, përderisa semantikisht përkthimi është i saktë, nuk mund ta mohojmë se titulli nuk bie ndesh me teoritë përkthimore, mirëpo cënon imazhin e kulturës dhe vendit që përfaqëson.

“Eşkıya dünyaya hükümdar olmaz” ky është seriali që sapo nisi në një nga ekranet shqiptare. Kuptimi i tij fjalë-për-fjalë është “Mafia nuk mund të drejtojë botën”. Në gjuhën shqipe ky film ka mbërritur me titullin “Familja e madhe”, një titull ky që le shumë për të dëshiruar për vetë faktin se nuk shpërfaq asgjë për ndjekesin shqiptar, nuk përçon asnjë detaj ngacmues lidhur me fabulën e këtij seriali.

Përkthyesi, jo domosdoshmërisht duhet t’i qëndrojë strikt përkthimit fjalë-për-fjalë, ai mund luajë me fjalët për të përçuar një mesazh në kulturën mbërritëse. Ashtu sikurse ndodh në serialin “Kaderimin Yazıldıgı Gün” I ardhur në shqip si “Një pjesë e Imja”. Me të drejtë do të thuash që titujt në turqisht dhe në shqip nuk kanë aspak lidhje më njëri-tjetrin, mirëpo në thelb, po ta kesh ndjekur serialin kupton se fëmija e protagonistes, edhe pse në largësi, gjithmonë ruante vetmevete brazda të pashlyeshmme kujtimesh të fëmijës së saj.

Si përfundim, raste të këtilla të keqpërkthimit do të ndeshim gjithmonë, përderisa do të kemi njerëz që keqpërdorin autoritetin e tyre herë nga padija, herë nga tendencat dashakeqe që shfrytëzohen për qëllime të caktuara.

Marketing