Shkup, 12 gusht 2018 – Sot me një sërë aktivitetesh, nën organizimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, u shënua 106 vjetori i çlirimit të Shkupit nga kryengritësit shqiptarë.
Në fillim nga delegacione të shumta institucionale nga Kosova e Maqedonia, u bënë nderime te shtatoret e Hasan Prishtinës në Shkup dhe Isa Boletinit në Saraj, dhe më pas në Institut me një akademi përkujtimore, u shënua kjo datë e rëndësishme e historisë sonë kombëtare.
Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se sot me pietet e kujtojmë 12 gushtin dhe veprën madhore të arkitektit të Pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtina, dhe mijëra kryengritësve, të cilët pikërisht në Shkup, dhanë porosinë më kuptimplote për të ardhmen e popullit shqiptar. Sipas tij, fryma hasaniste nuk u shua kurrë, dhe ajo u bart nga brezi në brez, dhe është aktuale dhe e nevojshme edhe në ditët tona, kur kombi ynë ende po kalon nëpër turbulenca të njëpasnjëshme, si rezultat i padrejtësive historike që bënë ndaj nesh fuqitë e mëdha të kohës.
Më pas u transmetua fjalimi impresionues i ikonës së rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, i cili në një tubim vite më parë ishte shprehur: “Unë jam një ushtar i devotshëm, i papërkulshëm i Hasan Prishtinës. Aty ku e la Hasan Prishtina ne do ta vazhdojmë së bashku, derisa të krijojmë shtresën tonë Hasaniste, e atëherë nuk do të ketë fuqi që na del përpara!”.
Instituti ndau mirënjohje-plaketë post-mortum për Adem Demaçin, të cilën e pranoi i biri i tij, Shqiptar Demaçi, dhe evokoi kujtime nga jeta dhe vepra e papërsëritshme e prindit të tij. Ndërsa, duke u ndërlidhur me fjalimin e Demaçit, aktivisti i lëvizjes kombëtare, Ali Ahmeti, tha se derisa Demaçi është ndjerë ushtar i Hasan Prishtinës, i tërë brezi ynë kemi qenë ushtarë të Adem Demaçit, nga i cili kemi marrë frymëzim në rrugën e mundimshme drejt lirisë.
Me rastin e 106 vjetorit të Çlirimit të Shkupit nga kryengritësit shqiptarë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, ndau disa plaketa-mirënjohje për familjet atdhetare dhe pinjollët e tyre, me motivacionin: “Për afirmimin dhe kultivimin e ideve HASANISTE në zhvillimin tonë kombëtar”. Mirënjohjet i pranuan: pinjolli i familjes së Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina; pinjolli i familjes së Isa Boletinit, Gazmend Boletini; pinjolli i familjes së Idriz Seferit, Nijazi Idrizi; pinjolli i familjes së Hajrulla Murtezi –Tërpeza, Ilir Murtezi; aktivisti dhe vëllai i dëshmorit të kombit, Afrim Zhitia, Syl Zhitia; koordinatori i aktiviteteve të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, në kuadër të Qeverisës së Republikës së Kosovës, Jahja Lluka; veprimtari i çështjes kombëtare Fatmir Beqir Limani; komandanti i Koshares dhe oficer aktiv i FSK-së, Hisen Berisha, dhe veprimtari Ismet Sylejmani.
Më 12 gusht 1912, mijëra kryengritës shqiptarë të armatosur, të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Daklani, Ali Shkupi, Mehmet Tetova e shumë atdhetarë tjerë të shquar, përmbyllën çlirimin e vilajetit të Kosovës nga sundimi osman, pasi morën nën kontroll Gjilanin, Preshevën, Bujanocin, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Kumanovën, si dhe kryeqendrën e Dardanisë dhe Kosovës – Shkupin.
Me marrjen e Shkupit, kryengritësit shqiptarë i çliruan mbi 1 000 të burgosur, e shtynë në dorë Post-telegrafin dhe suspenduan shumë qeveritarë dhe administratorë turq dhe përkrahës të tyre në Shkup dhe shumë qytete tjera të Vilajetit të Kosovës, duke i zëvendësuar me shqiptarë. Më 18 gusht 1912, qeveria turke doli zyrtarisht se i pranon 12 pika nga 14 kërkesat e kryengritësve shqiptarë, të njohura si “14 pikat e Hasan Prishtinës”.