Përleshje fizike, ndërpritet numërimi i votave në Prishtinë

Në Qendrën Komunale të Numërimit, në Prishtinë, është ndërprerë numërimi i votave për deputetë në Kuvendin e Kosovës, si rrjedhojë e problemeve me sistemin e procedimit.

Marketing

Po ashtu, sipas ekipit të KosovaPress bëhet e ditur se ka ndodhur një incident, ku është kërkuar edhe ndërhyrja e policisë, kur vëzhguesit janë përplasur për shpalljen ose jo të një vote të pavlefshme.

Gjithashtu në vendngjarje doli edhe prokurori i rastit.

Mësohet se njëri nga vëzhguesit e përfshirë në incident është Egzon Azemi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe një nga vëzhguesit tjerë është nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Për shkak të këtij incidenti, në këtë Qendër të Numërimit pati ndërprerje për rreth 15 minuta ku më pas nisi numërimi i votave.

Tani procesi i numërimit po shkon sipas rregullave. Derisa në hyrje të kësaj qendre po qëndrojnë disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Procesi i numërimit do të vazhdojë deri në orën 12 pas mesnate.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sot në orët e pasdites, ka filluar me procesin e numërimit të votave të subjekteve politike.