Përmbaruesit i “rrjepin” qytetarët me çmimet e larta

Ligji i ri për përmbarim nuk është retroaktiv, edhe pse pushteti këtë e paralajmëronte dhe premtonte. OJQ-të ankohen se përmbaruesit i kanë aktivizuar të gjitha lëndët që i kanë pasur nëpër sirtarë, që të fitojnë sipas çmimeve të vjetra që i parashihte ligji paraprak.

Marketing

“Të gjitha faturat, të gjitha lëndët që i kanë ishin të koordinuara me përfaqësuesit e ministrive dhe saktë e dinin si është ligji, se nuk do të jetë retroaktiv, edhe pse u premtua se do të jetë. Që t’i kapin tarifat e vjetra, që ta kapin Ligjin e vjetër për përmbarim, të gjitha lëndët i kanë lëshuar në qarkullim dhe tani qytetarët janë në pozitë të vështirë”, tha Marjan Risteski- nisma “Stop për përmbaruesit”.

Si vërtetim për akuzat, Risteski para kamerës së Alsat tregoi vendim përmbarimi ku shihet se për borxh prej 1000 denarëve, përmbaruesit kërkojnë pagesë prej 10 mijë denarë. OJQ-të kërkojnë takim me kryeministrin Zaev dhe presidentin Pendarovski, gjithashtu kërkojnë ligj të ri për përmbarim që do të jetë në interes të qytetarëve.

Në opinion, reagime më të ashpra kishte pasi u denoncuan raste ku për borxh prej 1 denarë, përmbaruesit nga qytetarët kanë kërkuar të paguajnë norma të larta të interesit që kalojnë mbi 200 euro. Nga Ministria e drejtësisë konfirmojnë situatën e këtillë, edhe pse thonë se synimi kryesorë i ndryshimeve ligjore ka qenë që të ulen shpenzimet e procedurave para përmbaruesve, edhe atë për qytetarët më të varfër që nuk mund t’i paguajnë faturat për shpenzime komunale.

Të gjitha lëndët që kanë filluar me Ligjin e ri për përmbarim, do të llogariten sipas tarifës së re që Ministria e drejtësisë e ka caktuar. Lëndët e vjetra për të cilat nuk janë nisur procedura përmbarimi, llogariten sipas tarifës së re. Por, nëse përmbaruesi ka nisur procedura përmbarimi sipas ligjit të vjetër, atëherë edhe përllogaritja është bërë sipas tarifës së vjetër – thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Nga Oda e përmbaruesve nuk morëm përgjigje pasi njoftuan se kanë obligime. Por, jozyrtarisht, përmes telefonit u ankuan se nuk u paguhet mundi me Ligji i ri për përmbarim./Alsat-M

Marketing