Përmbytet fusha në Podgoricë, ndërpritet ndeshja Mali i Zi U21 – Shqipëri U21

Ndeshja ndërmjet ekipeve shpresa të Malit të Zi dhe Shqipërisë, në kuadër të eliminatoreve për Euro2025, është ndërprerë për shkak të kushteve të këqija të motit.

Marketing

Reshjet e dendura të shiut në Podgoricë bën që fusha të përmbytej me ujë dhe duke parë se loja po zhvillohej në një terren të rënduar, gjyqtari Jonathan Lardot e ndërpreu sfidën në minutën e 28-të.

Arbitri i ndeshjes dërgoi skuadrat në dhomat e zhveshjes dhe pas konsultimit me delegatin e UEFA-s dhe përfaqësuesit e të dyja kombëtareve u vendos që ndeshja të mos vazhdojë më për sot.

Në momentin e pushimit rezultati ishte 0:0. Tashmë i takon UEFA-s që të caktojë një tjetër datë për zhvillimin e sfidës Mali i Zi U21-Shqipëri U21, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2025-ës.

Sa i përket ecurisë së dy ekipeve në këto eleminatore, Mali i Zi ka luajtur tri ndeshje dhe ka tre pikë në renditje. Nga ana tjetër, djemtë e Alban Bushit kanë nëntë pikë pas pesë ndeshjesh.