Disa gazetarë janë lënduar ditën e sotme gjatë përplasjes së ndodhur mes policisë së Kosovës dhe qytetarëve në veri të vendit si pasojë e një aksioni policor.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar për terrenin e vështirë në të cilin u është dashur të punojnë gazetarët gjatë ditës së sotme në komunat veriore të Kosovës.
“Sipas raporteve, janë sulmuar disa gazetarë të mediave të ndryshme shqiptare në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut dhe një tjetër incident ka ndodhur rrugës për në Leposaviq ku protestuesit kanë ndjekur nga pas veturat me gazetarë.
Ndërkohë, sulme dhe presione ka pasur edhe ndaj gazetarëve të portalit lokal “Kossev”, nga protestuesit. Si pasojë, redaksia i ka tërhequr ekipet e saj nga terreni”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Ndër të tjera AGK-ja ka ftuar Policinë e Kosovës që të ofrojë siguri për gazetarët që të kryejnë punën e tyre në formë të papenguar.
Kujtojmë se gjatë aksionit të sotëm në veri, policia është sulmuar nga serbët lokalë me gur, shok bomba, gaz lotsjellës e mjete të tjera. Si rezultat i kësaj 6 pjesëtarë të policisë janë lënduar kurse janë arrestuar 8 persona të tjerë. Mes të lënduarve ka edhe gazetarë gjithashtu.