Protestat për ligjin e ri të nënshtetësisë në Indi kanë futur në konflikt besimtarët e dy feve kryesore në vend, ndërsa prej ditës së diel kanë shënuar mbi 20 viktima.
Të paktën 23 veta janë vrarë në kryeqytetin indian si pasojë e përplasjeve të dhunshme.
Trazirat treditore që nisën të dielën me motivin e ligjit të ri të nënshtetësisë, tashmë kanë marrë ngjyrime fetare, duke vënë kundër njëra-tjetrës dy komunitetet më të mëdha fetare të vendit.
Raportohet se besimtarët myslimanë janë detyruar të shpërngulen pasi po përndiqen nga bandat kriminale të besimit hindu, që u kanë vënë zjarrin e kanë bastisiur banesat dhe disa xhami në vend.
Mbi 200 persona janë shtruar në spital me plagë nga armët e zjarrit dhe nga thikat, djegia me acid, apo goditjet me shkopa druri e shufra metalike.
Policia njoftoi masa ndalimqarkullimi në verilindje të Delhit pas shtimit të rasteve të dhunës.
Gjendja e paqëndrueshme vijon prej muajit dhjetor kur qeveria nacionaliste e vendit miratoi një ligj që lehtëson procedurat e marrjes së nënshtetësisë indiane për emigrantët ilegalë të pakicave fetare, por jo ata myslimanë.
Kryeministri Narendra Modi, që vetëm një ditë më parë përmbylli pritjen zyrtare për presidentin amerikan Donald Trump, apeloi të mërkurën për paqe dhe vëllazëri mes komuniteteve.