Nga Arben Llalla
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla nuk dha dorëheqjen, megjithëse prej 10 ditësh studentët protestojnë nëpër rrugët e kryeqytetit, nëpër Shqipëri. Nëse kjo zonjë që pretendon që ka qenë mësuese dhe e përshkruajnë si nënë e mirë, po të kishte pak moral prindëror do të kishte dhënë dorëheqjen qysh atë ditë që u refuzua për bisedime nga studentët.
Por, përse nuk e jep dorëheqjen ministrja Lindita Nikolla? Sepse, ajo nuk e ka fituar postin me meritë, por nga padrinoja i saj, i cili nuk e lejon jo vetëm të dorëhiqet për moral njerëzor dhe paaftësi, por edhe prej degjenerimit që u ka shkaktuar përfundimisht kjo protestë madhështore e studentëve të Shqipërisë.
Ministrja Lindita Nikolla nuk e jep dorëheqjen, sepse pas një akti të këtillë, zëre se mbetet e papunë, askush nuk do ia varë, edhe prej faktit që ajo nuk përfaqëson ndonjë farë personaliteti politik a të shquhet për profesionalizëm. Thjesht, ngjan me një butak nga ata të Rilindjes që kanë bërë përpara duke u zvarritur dhe lënë pas gjurmët e jargëve.
Këta janë deputetët dhe ministrat tanë, të cilët nuk kanë moral, prandaj jemi këtu ku jemi. Edhe sikur të mblidhen me ngut në Kuvend, rrugëtimi i tyre prej butakësh nuk ka për të sjellë kurfarë përparimi për këtë vend. Pasqyra më e mirë e imoralitetit njerëzor dhe politik duket sheshit tek Lindita Nikolla, e cila nuk lëviz nga karrigia e Ministrisë së Arsimit sikur “të bëhet kiameti”.