Në çerdhen “Breshia” të Dibrës sot u për përurimi i disa hapësirave plotësuese të këtij institucioni parashkollor. Në prani të kryetarit të komunës dhe në prani të institucioneve lokale u përurua edhe dhoma senzorike e cila u dedikohet fëmijëve me aftësi të kufizuara. Bëhet fjalë për një dhomë me gjithë pajisjet e nevojshme të cilët sipas ekspertëve u nevojitet fëmijëve që kanë probleme të ndryshme. Drejtoresha e çerdhes Ajrie Daçi theksoi se bëhet fjalë për projekte të cilët nëpërmjet fondeve evropiane dhe Programit Erazmus Plus mundësojnë që edhe fëmijët në Dibër të gëzojnë këto standarde.“Dhoma senzorike dhe tre ushtrimoret e tjera janë përkrahur në aspektin financiar nga Programi Erazmus Plus por edhe nga donatorët e ndryshëm”, tha drejtoresha Daçi dhe shtoi se me këta aktivitete çerdhja e Dibrës ka arritur standardet evropiane. Dhoma senzorike, sipas saj, ka një domethënie shumë të madhe për fëmijët me aftësi të kufizuara. Aktualisht në këtë çerdhe ka 15 fëmijë, por të dhënat institucionale flasin se ka një rritje të dukshme të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Dhomën senzorike përveç fëmijëve që janë në çerdhe do të mund ta shfrytëzojnë edhe fëmijët e kësaj kategorie që janë jashtë këtij institucioni.
Duke përuruar ushtrimoret e reja edukatoret e këtij institucioni një vend të veçantë i kushtuan ushtrimores në të cilët do të realizohet edukimi i fëmijëve sipas metodës Montessori. Është një projekt në të cilën marrin pjesë Maqedonia e Veriut, Turqia, Italia dhe pikërisht në këtë ushtrimore do të zbatohen mënyrat e edukimit sipas metodës së Montessorit, një metodë e prezantuar para një shekulli nga Maria Montessori e cila me të vërtet garanton një zhvillim të qëndrueshëm të fëmijëve. Edhe dy ushtrimoret e tjera kanë specifikat e veta dhe edukimi i fëmijëve në to është në përputhje me projektin Erazmus Pus në të cilin marrin pjesë shtete të Unionit Evropian.