Gjykata Speciale me seli në Hagë, apo më saktësisht Dhomat e Specializuara të Kosovës, sot gjatë ditës kanë marrë vendim duke shpallur fajtorë dhe kanë dënuar me burg Haxhi Shalën, Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin.
Në njoftimin e DHSK-së, thuhet se Trupi Gjykues ka miratuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të arritur midis Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe tre të akuzuarve në këtë çështje, ku ata pranuan fajësinë për një akuzë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, dhe një akuzë për frikësim gjatë procedurës penale.
‘‘Sot, 4 shkurt 2024, Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala miratoi marrëveshjet për pranimin e fajësisë të arritur midis Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe tre të akuzuarve në këtë çështje, ku ata pranuan fajësinë për një akuzë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, dhe një akuzë për frikësim gjatë procedurës penale, konkretisht dy nga tre akuzat e konfirmuara kundër tyre nga Gjykatësi i Procedurës Penale. Akuzën e tretë, pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, ZPS-ja e tërhoqi më 17 dhjetor 2024, në kuadër të marrëveshjeve për pranimin e fajësisë’’, thuhet në njoftim.
Po ashtu, shtohet se të akuzuarit kanë pranuar se ishin pjesë e një grupi që tentoi të nxiste një person që të mos jepte dëshmi para Dhomave të Specializuara përmes premtimit të një përfitimi.
‘‘Secili prej të akuzuarve pranoi se ishte pjesë e një grupi që tentoi të nxiste një person që të mos jepte dëshmi para Dhomave të Specializuara përmes premtimit të një përfitimi. Konkretisht, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari – me udhëzim të Haxhi Shalës – kontaktuan personin në shtëpinë e tij, përkatësisht më 5 dhe 12 prill 2023’’, shtohet në njoftim.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se të akuzuarit janë dënuar me burgim, ku Haxhi Shala është dënuar me 3 vjet, Sabit Januzi e Ismet Bahtijari janë dënuar me dy vjet burgim.
‘‘Në bazë të marrëveshjeve për pranimin e fajësisë, Trupi Gjykues shqiptoi gjithashtu dënime kundër z. Shala,
z. Januzi dhe z. Bahtijari si vijon:
Haxhi Shala u dënua me 3 vjet burgim.
Sabit Januzi u dënua me 2 vjet burgim.
Ismet Bahtijari u dënua me 2 vjet burgim.
Trupi Gjykues zbriti nga dënimet e dhëna kohën e kaluar në paraburgim që prej arrestimit të të akuzuarve.
Të akuzuarit u pajtuan gjithashtu që të paguajnë shumën prej gjithsej 500 euro si zhdëmtim viktimës së pranuar për pjesëmarrje në proces.
Versionet e redaktuara publike të marrëveshjeve për pranimin e fajësisë midis ZPS-së dhe Sabit Januzit, Haxhi Shalës, dhe Ismet Bahtijarit, mund t’i gjeni në faqen e internetit të DHSK-së’’, thuhet në komunikatë.