Koncerti i këngëtarit Soolking në Algjeri është kthyer në tragjedi. Sipas mediave vendase, pesë persona kanë gjetur vdekjen dhe 21 të tjerë janë plagosur si pasojë e dyndjes dhe kaosit në një prej hyrjeve të stadiumit ku zhvillohej koncerti.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të enjtes, teksa Soolking do performonte përpara bashkëkombasve të tij në Algjer. Viktimat janë tre meshkuj dhe dy femra.
Më shumë se 25 mijë njerëz mendohet të kenë qenë brenda në stadium, ku Soolking performoi hitet e tij, përfshirë edhe këngën ‘Zemër’. E ftuar në këtë koncert ishte edhe këngëtarja shqiptare, Dhurata Dora, me të cilën ka bashkëpunuar algjeriani.